
Kandidati për kryeministër, Ramush Haradinaj, ka prezantuar kandidatët për deputetë të Kuvendit të Kosovës nga Suhareka, shkruan “Gazeta Projekti”.
Ai ka thënë se pa mbështetjen e qeverisë, Suhareka është shndërruar në qendër të zhvillimit ekonomik.
“Energjia e Suharekës sot ishte dëshmi e fuqisë transformuese që vjen nga puna dhe përkushtimi. Nën udhëheqjen e Bali Muharremajt, kjo pa mbështetjen e qeverisë, është shndërruar në qendër të zhvillimit ekonomik, duke u bërë shembull i asaj që mund të arrijmë kur kemi vizion të qartë dhe bashkëpunim të ngushtë me sektorin privat”, ka thënë Haradinaj.
Kreu i AAK-së ka prezantuar Bali Muharremaj, Albana Bytyqi, Kymete Bajraktari, Driton Maliqaj dhe Mensur Selimaj, kandidatë për deputetë.
“Sot, pesë kandidatët për Kuvendin e Kosovës nga Suhareka – Bali Muharremaj, Albana Bytyqi, Kymete Bajraktari, Driton Maliqaj dhe Mensur Selimaj – përfaqësojnë zotimin tonë për zhvillim të mëtejshëm. Ujëmbledhësi i Dragaqinës, përfundimi i stadiumit dhe ndërtimi i ngrohtores qendrore do të sigurojnë infrastrukturë moderne dhe kushte më të mira jetese për qytetarët e Suharekës”, është shprehur Haradinaj.
Ai ka thënë se Suhareka ka treguar se transformimi është i mundur – tani është koha që këtë sukses ta shtrijmë në mbarë vendin.
“Me këta përfaqësues në Kuvend do të realizojmë programin tonë, ku përfshihen edhe rritjet e pagave dhe pensioneve. Në bashkëveprim me SHBA-të dhe aleatët tanë strategjikë, do të sigurojmë anëtarësimin direkt në NATO, do të forcojmë ushtrinë dhe do të garantojmë sundimin e ligjit. Suhareka ka treguar se transformimi është i mundur – tani është koha që këtë sukses ta shtrijmë në mbarë vendin duke e bërë gjithë Kosovën fituese”, ka përfunduar Haradinaj.