Për takimin e Presidentes së vendit, Vjosa Osmani me kreun e AAK-së, Ramush Haradinaj, nga partia e këtij të fundit kanë thënë se e para e shtetit është vonuar dhe takimi nuk është realizuar.
Por, rreth kësaj deklarate kanë reaguar nga Presidenca, ku për t kanë thënë se “Haradinaj nuk ka dashur të presë derisa protokolli e ka njoftuar Presidenten për arritjen e tij”.
Zëdhënësi i Presidentes, Bekim Kupina tha se pavarësisht kësaj, Presidentja Osmani ka lënë mundësinë e hapur për takim ditëve në vazhdim.
“Takimi ishte paraparë të mbahet, por për shkaqe protokollare nuk është realizuar. Z.Haradinaj nuk ka dashur të presë derisa protokolli e ka njoftuar Presidenten për arritjen e tij. Pavarësisht kësaj, Presidentja Osmani ka lënë të hapur mundësinë e takimit ditëve në vazhdim, kurdo që kreu i AAK-së e vlerëson se duhet diskutuar dhe adresuar çështjet e rëndësisë nacionale. Dera e Presidencës vazhdon të mbetet e hapur”, tha Kupina për Reporteri.net.
Drejtori për Informim i AAK-së, Lulëzim Blaka për Gazetën Online Reporteri.net sot tha se Haradinaj ditën e djeshme shkoi në Presidencë për takim me Osmanin por e njëjta nuk respektoi orarin që e kishte caktuar vet.
“Ne kishim vullnet për të biseduar me znj. Osmani për çështjet me rëndësi për vendin, veçanërisht për draft-statutin e Asociacionit; e per këtë qëllim Kryetari Haradinaj, ishte në kohën e caktuar në Presidencë. Por, takimi nuk ndodhi, pasi që znj. Osmani nuk e respektoi orarin që e kishte caktuar vetë”, tha Blaka për Reporteri.net.
Osmani dje u takua me të parin e LDK-së, Lumir Abdixhikun.
Në një njoftim për media, u bë e ditur se Abdixhiku e ka njoftuar presidenten lidhur me shqetësimet e LDK-së sa i përket përmbajtjes së draft-statutit dhe janë diskutuar mundësitë për trajtimin e këtyre shqetësimeve në mënyrë që mos të lejohen dykuptimësi që mund ta dëmtojnë funksionimin e brendshëm të Republikës së Kosovës.
Ndërkaq, kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi ka refuzuar të marrë pjesë në takimet e kësaj natyre.
Krasniqi tha se takime të tilla nuk prodhojnë asgjë.