Kryeministri Ramush Haradinaj u nis për Vatikan me shpresë që do ta takojë Papa Franceskun, kështu madje raportuan edhe mediat, mirëpo duket se Papa nuk i doli në pritje.
Haradinaj u prit në takim vetëm nga sekretari i shtetit, Kardinali Pietro Parolin, shkruan gazetametro.net.
Metro ka kontaktuar zyrën e kryeministrit Haradinaj për të konfirmuar nëse ishte paraparë takimi me Papën siç ishte raportuar, mirëpo ata ishin të paqasshëm. Telefonin nuk e hapën as zëdhënësja Donjeta Gashi e as këshilltari Halil Matoshi.
Sidoqoftë, Haradinaj e ka konsideruar të ngrohtë pritjen në Selinë e Shenjtë, duke shtuar se ka kërkuar partneritet me Vatikanin.
Ai potencoi se është e rëndësishme njohja e këtij shteti për Kosovën, ndërkohë që bëri të ditur se kardinali Pietro Parolin e inkurajoi për rrugën euro-atlantike.
“Pritje e ngrohtë në Selinë e Shenjtë, nga Sekretari i shtetit, Kardinali Pietro Parolin. nKosova është në kërkim të partneritetit diplomatik me shtetin e Vatikanit dhe për këtë, njohja nga Selia e Shenjtë është hap i nevojshëm. Kardinalit Parolin, i shpreha përkushtimin e vendit që të ruajmë dhe avancojmë marrëdhëniet tona, derisa Eminenca e Tij, na inkurajoi për rrugën tonë euro-atlantike”, ka shkruar kryeministri Haradinaj.
E, përkundër Haradinajt, presidenti Hashim Thaçi u prit nga vetë Papa Françesku më 28 shtator të vitit të shkuar. Madje, presidenti kishte patur takim me Papën edhe në kohën kur mbante postin e kryeministrit./gazetametro.net.