Mirëpo, kryeqeveritari ka përmendur qershorin si muajin kur BE-ja do të japë vlerësimin për procesin e liberalizimit të vizave për kosovarët.
Ndërkaq, Haradinaj ka sqaruar edhe procedurat që do të jenë pas këtij vlerësimi dhe ka përmendur fundin e vitit si kohë të mundshme për t’u liberalizuar vizat.
“Po shkojmë në disa hapa. Në qershor na jepet vlerësimi i BE-së. Por ky vlerësim prapë do të kalojë nëpër institucionet e BE-së. Pastaj secili shtet do të japë mendimin veç e veç. Këto procedura përputhen me këtë periudhë, dhe besoj se para fundit të vitit do të lëvizim pa viza”, ka thënë Haradinaj pas mbledhjes së Qeverisë.
Ndërkohë, ndonëse u pyet se a ka pasur diskutime për këtë çështje në Sofje, Haradinaj nuk e përmendi fare asnjë takim që mund të ketë ndodhur në Samitin e Sofjes.
Ndryshe, Haradinaj e bëri të ditur se Komisioni i BE-së që ishte para dy javësh në Kosovë do ta japë vlerësimin e tij në muajin qershor.