
Kryeministri i Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj, është takuar sot në Berlin edhe me deputetët e Bundestagut gjerman, nga koalicioni i kancelares gjermane CDU/CSU.
Kreu i Qeverisë është takuar me Johan Wadephul, Peter Bayer e Christian Schmidt, të cilët i ka falënderuar për mbështetjen gjermane për Kosovën sa i përket procesit të liberalizimit të vizave.
“I falënderova deputetët e CDU/CSU për kujdesin e treguar për Kosovën, përfshi mbështetjen e madhe dhënë vendit tonë në procesin e liberalizimit të vizave”, ka shkruar Haradinaj pas takimit.
Përveç liberalizimit të vizave, ai i ka falënderuar deputetët edhe për qëndrimin karshi dialogut me Serbinë, dhe mbështetjen e fuqishme gjermane për pozicionin e Kosovës kundër idesë së korrigjimit të kufijve.
“Po ashtu i shpreha mirënjohje Parlamentit gjerman për konsistencë sa i përket mbrojtjes së fuqishme të pozicionit tonë në dialogun me shtetin serb, për arritjen e një marrëveshjeje përfundimtare përfshi njohjen reciproke në kufijtë ekzistues”, ka shtuar tutje kreu i Qeverisë.
Dje gjatë ditës i pari i Qeverisë është takuar me kancelaren gjermane, Angela Merkel, dhe me kreun e Bundestagut gjerman.
Dialogu me Serbinë, Samiti i Parisit, liberalizimi i vizave e raportet bilaterale Kosovë-Gjermani kanë qenë tema të diskutimit.