970×90
970×90
970×90
970×90

Haradinaj: Kosova është nisur drejt NATO-s dhe krijimit të ushtrisë

Haradinaj: Kosova është nisur drejt NATO-s dhe krijimit të ushtrisë

Ish-gjenerali i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), aktualisht deputet i Kuvendit të Kosovës, Daut Haradinaj, me rastin e shënimit të 20-vjetorit të “Epopesë së Dukagjinit”, ka thënë se 24 marsi është një prej ngjarjeve më kulmore në luftën tonë për liri.

Në këtë intervistë dhënë për gazetën “Epoka e re”, ai ka thënë se “Epopeja e UÇK-së” dhe ajo e Dukagjinit – 24 marsit, është pjesë e pashkëputshme e historisë së luftës shqiptare për çlirim.

Haradinaj ka thënë se shteti duhet t’i trajtojë me kujdesin maksimal veteranët, familjet e dëshmorëve dhe invalidët e luftës. “Sa më i fortë dhe i qëndrueshëm që është shteti, aq më shumë dhe më mirë duhet të trajtohen kategoritë e dala nga lufta. Prandaj them se veteranët, familjet e dëshmorëve, invalidët e luftës, duhen trajtuar me kujdesin maksimal nga shoqëria, sidomos nga shteti. Në këtë drejtim është punuar, por nuk e shoh veten të kënaqur sa duhet”, ka thënë Haradinaj.

Duke folur për transformimin e FSK-së në ushtri, Haradinaj ka thënë se është optimist se këtë vit do të fillojë konkretizimi i shndërrimit të FSK-së në ushtri. “Kosova është nisur drejt NATO-s dhe krijimit të ushtrisë. Kjo është çështje e cila do të përmbyllet me kujdes të madh dhe me konsensusin e gjithë spektrit politik të Kosovës, pra duke respektuar kornizat ligjore e kushtetuese, si dhe me përkrahjen e pandalshme të partnerëve tanë nga NATO-ja duke filluar me ShBA-në. Kosova ka nisur këtë proces dhe jam më shumë se optimist se këtë vit do të fillojë konkretizimi i shndërrimit të trupave të tashme në ushtri”, është shprehur ai.

Daut Haradinaj ka thënë se sot shqiptarët kurrë s’kanë qenë më mirë dhe më të fortë.

“Epoka e re”: Z. Haradinaj, të shtunën shënohet 20-vjetori i “Epopesë së Dukagjinit”. Ju keni qenë një nga protagonistët e betejës së 24 marsit në Gllogjan. Si e kujtoni këtë ngjarje 20 vjet më pas dhe cila ishte rëndësia e saj?
Haradinaj: ‘Epopeja e UÇK-së’ dhe Dukagjinit është pjesë e pashkëputshme e historisë së luftës shqiptare për çlirim. 20-vjetori i kësaj ngjarje shënon edhe dekadën e dytë të luftës për liri të shqiptarëve të udhëhequr nga UÇK-ja dhe gjithë shqiptarët. Për ngjarjen është folur, shkruar, dokumentuar mjaft deri më sot. Kjo është shenja më e mirë që të jetosh me historinë, por edhe të punosh për të ardhmen e popullit tënd. Do të thotë, ia ka vlejtur lufta shekullore për lirinë dhe nuk them ndonjë të re nëse këtu shtoj se ‘Epopeja e Dukagjinit’, 24 marsi, është një prej ngjarjeve më kulmore në luftën tonë për liri. Ne që ishim pjesëmarrës, ata që ndihmuan në atë luftë, por edhe ata që i shporrëm nga Kosova, të gjithë së bashku e shohim atë ngjarje si një prej çasteve të kthesës për lirinë e vendit tonë. Unë personalisht bashkëjetoj me ato ngjarje sepse, përpos dramës, rënies heroike të bashkëluftëtarëve e familjarëve, sa herë që e shënojmë këtë ngjarje, prekem pa masë kur shoh masat e njerëzve, të bashkëkombësve nga krejt trojet tona dhe diaspora që na bashkohen për shënimin e kësaj ngjarjeje. Për këtë u jam mirënjohës gjithmonë bashkëvendësve, bashkëkombësve, të rinjve e të rejave shqiptarë nga krejt viset e botës.

“Epoka e re”: Që nga ajo kohë dhe deri më sot cilat mendoni se janë arritjet më të mëdha të Kosovës dhe popullit të saj?
Haradinaj: Liria për të cilën brez pas brezi luftuan të parët e baballarët tanë. Pavarësia për të cilën sakrifikuam aq shumë edhe pas luftës për liri.

“Epoka e re”: Sipas juve, a është realizuar ajo për të cilën kanë luftuar të rënët për liri?
Haradinaj: Kurrë nuk realizohen amanetet e tyre. Sepse vetë fakti që ata dhanë jetën për liri dhe ne si pasues të tyre na obligon çdo ditë dhe çast t’i kujtojmë dhe të punojmë pa ndalë në mënyrë që brez pas brezi të bëhemi pjesë e botës së lirë me vlera të përbashkëta perëndimore.

“Epoka e re”: Sa jeni të kënaqur me trajtimin që u është bërë kategorive të dala nga lufta e UÇK-së?
Haradinaj: Edhe në këtë fushë them se kurrë nuk duhet të jemi të kënaqur me trajtimin e kategorive të dala nga UÇK-ja. Sa më i fortë dhe i qëndrueshëm që është shteti, aq më shumë dhe më mirë duhet të trajtohen kategoritë e dala nga lufta. Prandaj them se veteranët, familjet e dëshmorëve, invalidët e luftës, duhen trajtuar me kujdesin maksimal nga shoqëria, sidomos nga shteti. Në këtë drejtim është punuar, por nuk e shoh veten të kënaqur sa duhet. Prandaj nuk ndalem asnjëherë që kjo kategori të trajtohet sa më mirë edhe në të ardhmen.

“Epoka e re”: Në përgjithësi, si e vlerësoni gjendjen e shqiptarëve sot? A ka mundur të bëhet më shumë?
Haradinaj: Shqiptarët kurrë s’kanë qenë më mirë dhe më të fortë. Të gjitha tokat shqiptare në Ballkan janë të lira. Kemi një diasporë të fuqishme në Evropë e Amerikë. Se a ka mundur të bëhet më shumë? Absolutisht se po. Po ta shikosh nga këndi tjetër, pas lirisë së shqiptarëve vjen sfida e madhe – ajo e fuqizimit të faktorit shqiptar në Ballkan dhe në Evropë. E kjo bëhet përmes shtetit ligjor, luftës kundër korrupsionit, integrimeve euroatlantike. Një shtet shqiptar (Shqipëria) është në NATO. Tjetri shtet shqiptar, Kosova, është nisur po drejt NATO-s dhe anëtarësimit.

“Epoka e re”: Edhe 20-vjetori i “Epopesë së Dukagjinit” po shënohet pa ushtri. Do të jetë ky përvjetori i fundit pa ushtri?
Haradinaj: Siç jua thashë më parë, Kosova është nisur drejt NATO-s dhe krijimit të ushtrisë. Kjo është çështje e cila do të përmbyllet me kujdes të madh dhe me konsensusin e gjithë spektrit politik të Kosovës, pra duke respektuar kornizat ligjore e kushtetuese, si dhe me përkrahjen e pandalshme të partnerëve tanë nga NATO-ja, duke filluar me ShBA-në. Kosova ka nisur këtë proces dhe jam më shumë se optimist se këtë vit do të fillojë konkretizimi i shndërrimit të trupave të tashme në ushtri.

“Epoka e re”: Po ashtu, z. Haradinaj, të shtunën shënohet edhe 19-vjetori i intervenimit të NATO-s në Kosovë. Si e vlerësoni këtë akt?
Haradinaj: Është data e dita e aleancës së shqiptarëve me shtetet perëndimore, të prira nga ShBA-ja. Kjo aleancë do të jetë e përjetshme!

Shqipe HETEMI

Related posts