Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, ka thënë se katastrofa humanitare në veri të Mitrovicës është skenar i planifikuar.
Kreu i ekzekutivit, Ramush Haradinaj, pas mbledhjes së Qeverisë së Kosovës, ka thënë se katastrofa humanitare në veri të Mitrovicës që është paralajmëruar, është skenar i planifikuar, raporton lajmi.net.
Haradinaj për këtë ka thënë se Qeveria ka prova dhe kanë parë që persona të caktuar duke i fshehur produktet ushqimore nëpër shtëpi.
“Nëse e marrim periudhën e dimrit kur ka pasur borë e s’ka pasur rrugë alternative ka pasur produkte. Ne jemi në dijeni për planin e katastrofës humanitare. Ne kemi pamje duke i bartë produkte të tilla nëpër shtëpi dhe kemi edhe prova të personave që janë përfshirë në këtë skenar. Nuk do ti dekonspirojmë projektet e tilla. Target kohe e kanë të enjten për me e aktivizua këtë skenar”, ka deklaruar Haradinaj, raporton lajmi.net.
Ai po ashtu ka deklaruar se përmes kësaj katastrofe humanitare, ekziston një tendencë që ta detyrojë Kosovën që t’i mbyll sytë para kontrabandës mirëpo, Haradinaj është zotuar se nuk do ta lejojë zhvillimin e kontrabandës.
“Ekziston një tendencë me na detyru si Kosovë me i mbyll sytë para kontrabandës. Në nuk guxojmë me e leju këtë. Kontrabandistët përpos produkteve ushqimore ata mund të bartin edhe armë, narkotikë e gjëra të tjera. Dhe ne nuk do të lejojmë këtë. Nuk do të kthehemi prapa. Ne do të angazhohemi që ta kthejmë rendin dhe ligjin në veri të vendit”, deklaroi Haradinaj në këtë konferencë, i cili shtoi se për të gjitha dëshmitë që ka Qeveria, do të merre institucionet e rendit dhe ligjit.