![Haradinaj fton Vetëvendosjen t’i shterojë rrugët institucionale](https://gazetaprojekti.com/wp-content/uploads/2019/04/A8788624-3E59-48B5-A763-646C8035540B.jpeg)
Lëvizja Vetëvendosje ka paralajmëruar për nesër një protestë para Prokurorisë së Shtetit. E për këtë protestë ka reaguar kryeministri i vendit, Ramush Haradinaj, duke thënë se Kosova është një shoqëri demokratike ku liria e shprehjes dhe protestës është një e drejtë e garantuar.
Sipas tij, protesta kundër korrupsionit, me kërkesën për dorëheqjen e bartësve të pozitave të larta në sistemin e drejtësisë, si pushtet i ndarë, është e drejtë qytetare dhe politike.
“Kosova është një shoqëri demokratike ku liria e shprehjes dhe protestës është një e drejtë e garantuar. Protesta kundër korrupsionit, me kërkesën për dorëheqjen e bartësve të pozitave të larta në sistemin e drejtësisë, si pushtet i ndarë, është e drejtë qytetare dhe politike. Por, presioni i rrugës mbi drejtësinë është precedent që nuk i kontribuon vendosjes së saj”, ka shkruar Haradinaj në Facebook.
Ai tutje ka thënë se lëvizja Vetëvendosje duhet t’i shteroj të gjitha rrugët institucionale.
“Lëvizjen Vetëvendosje, si subjekt i respektueshëm parlamentar, e ftoj të shterojë të gjitha rrugët institucionale, të përdorë së pari interpelancat parlamentare, tryezat politike dhe debatet me ekspertët për sistemin e drejtësisë”.