
Ish ambasadori i ShBA-ve në Gjermani dhe ish i dërguari special për dialogun Kosovë-Serbi, Richard Grenell, ka bërë një varg postimesh në lidhje me artikullin e publikuar në The Daily Beast e të cilin e publikoi më herët edhe gazeta Nacionale. AI aty ka rrëfyer edhe disa prapaskena të kohës sa Thaçi ishte akteri kryesor në Kosovë. Një prej pretendimeve të tij kryesore thotë që palët ishin pajtuar që t’i jepnin fund Gjykatës Speciale.
Grenell sulmoi në mënyrë specifike gazetarin Jose Pagliery që kishte shkruar artikullin në fjalë, sipas tij pa u bazuar në të dhëna. Ky artikull – të cilin e gjeni më poshtë – e profilizonte Prokurorin Special Jack Smith që po merret me rastet kriminale kundër ish presidentit Donald Trump.
“Jose-ja nuk mund të jetë aq budalla – ai duhet ta ketë një agjendë. Pyeteni veten – pse Jack Smithi e paditi Thaçin pak javë para se Trumpi t’i jepte fund punës së tij në Evropë? Dhe pas vitesh mospunë – pa asnjë detajë në aktakuzë?” – shkroi fillimisht z. Grenell.
Ai vazhdoi duke e cilësuar si “trillim” artikullin në fjalë, duke vënë pikëpyetje edhe mbi njerëzit që e kishin redaktuar atë.
“Akuzat (ndaj Thaçit) ishin krejtësisht të ndryshme për dallim nga aktakuza. Nuk ka detaje, data, emra. Ka vetëm spekulime politike. 20 vjet më vonë, dekada hetimesh, dhe asnjë detaj mbi aktakuzat?” – ka shkruar më pas Grenell.
Por, ai zbuloi edhe detaje mjaft interesante nga koha kur ishte prej njerëzve më të fuqishëm në politikën amerikane dhe kur Thaçi ishte prej njerëzve më të fuqishëm në politikën kosovare.
“Jack Smithi e paditi Hashim Thaçin pasi i thashë Bruce Schwartzit të Departamentit të Drejtësisë se palët ishin pajtuar t’i jepnin fund Gjykatës Speciale dhe Jack Smithi do ta humbte vendin e tij të punës (si kryeprokuror i Speciales). Thaçi po vinte në Shtëpinë e Bardhë për ta përfunduar marrëveshjen finale.” – rrëfeu z. Grenell në postimet e tij.
Ai përmendi sërish se si Joe Biden – presidenti aktual amerikan – e kishte quajtur Hashim Thaçin si “George Washingtonin e Kosovës”.
Çka thuhet në artikullin problematik?
Në fakt, ky artikull është mjaft i rëndë për Kosovën dhe për ish presidentin Thaçi derisa lavdëron punën e bërë nga Jack Smith.
“Dëshmitarët kishim humbur shpresën e ishin zhdukur. I dyshuari numër 1 për krimet ishte bërë president. Dhe padia e shumëpritur ishte bërë e paarritshme. Atëherë, prokurori amerikan Jack Smith mori rastin në dorë, duke i dërguar hetuesit e tij në një mision agresiv për të rikthyer mbrapsht besimin e tyre duke iu vënë pas politikanëve gojëkyqur dhe militantët nacionalistë që i kishin mbajtur të heshtur.” – janë fjalët e para të këtij shkrimi tmerrues.
Daily Beast përmes gazetarit Jose Pagliery po fliste për Kosovën. Për Hashim Thaçin. Për UÇK-në.
“Kjo mund të jetë një përvojë e paçmueshme (për Jack Smithin)” – shkruhet më tej derisa tregohet që artikulli në fjalë përbën vështrimin më gjithëpërfshirës të asaj që ai kishte arritur në gjykimin e Thaçit.
Autori i shkrimit foli edhe me Clint Williamsonin, që kishte udhëhequr hetimet deri në vitin 2014.
“Opresioni serb ishte i tmerrshëm. UÇK-ja mor ishumë merita nga populli që doli e i luftoi serbët. Ata kishin statusin e heroit. Ajo që ndodhi është se Thaçi me të tjerë e shfrytëzuan këtë gjë për të çuar përpara fatet e tyre politike,” – ishin fjalët e cituara të z. Williamson.
“Po na e sulmojnë pavarësinë, lirinë. Kjo formulë funksionoi për vite të tëra. Duke tentuar ta kolektivizonin këtë gjë, ata provuan të minonin procesin gjyqësor,” – vazhdoi më tej ai.
Ndërkohë, ja si përfundon artikulli me një paralajmërim mjaft të errët për Thaçin:
“Krejt sytë janë drejtuar kah Smithi derisa amerikanët me ankth presion padinë e mundshme ndaj Trumpit, që mund të vijë për disa javë, muaj apo fare hiç. Por ata që i kushtojnë vëmendje matanë Atlantikut mund ta shohin shpejt se sa efektiv që ai (Jack Smithi) është. Ish presidenti i turpëruar i Kosovës pritet të dalë para gjyqit në fillim të vitit 2023.”