Sot në Skenderaj do të protestohet kundër dhunës dhe vrasjeve të grave, duke dënuar vrasjen e Lirije Qerimajt nga burri i saj Skender Qerimaj, në fshatin Llaushë të kësaj komune.
Protesta paqësore është organizuar nga OJQ Gratë Intelektuale të Drenicës dhe fillon në ora 12:00 nga sheshi “Adem Jashari”, për të vazhduar te Gjykata, ndërsa marshi përfundon para stacionit policor.
“Ne si gra kërkojmë dënim maksimal për dorasin”, thuhet në njoftim.
Sipas Prokurorisë Themelore të Mitrovicës, ekziston dyshimi i bazuar se i dyshuari S.Q., me datë 05 janar 2022 në fshatin Llaushë të Skenderajt, me dashje ka privuar nga jeta bashkëshorten e tij me iniciale L.Q., ashtu që pas një mosmarrëveshje të vazhdueshme me viktimën, ka nxjerrë armën nga xhepi i jaknës dhe ka shtënë gjashtë herë në drejtim të viktimës, të cilën e ka goditur në trup dhe si pasojë e plagëve të marra viktima ka ndërruar jetë gjatë rrugës për në Spitalin rajonal të Mitrovicës.