970×90
970×90
970×90
970×90

Gjysmë milionëshi i pavarësisë, Zyra e Kryeministrit nuk e din çfarë ka ndodhur me to

Gjysmë milionëshi i pavarësisë, Zyra e Kryeministrit nuk e din çfarë ka ndodhur me to


500 mijë eurot e ndara nga kategoria e shpenzimeve të rezervave për organizimin e 11 vjetorit të pavarësisë, ende nuk dihet se ku kanë shkuar.

Kryeministri i vendit, Ramush Haradinaj kishte thënë se nuk është shpenzuar e tërë shuma e ndarë dhe se për këtë do të kërkojë të bëhet auditim.

Lajmi.net ka kontaktuar me Zyrën e Kryeministrit, për të mësuar se a kanë kërkuar nga Zyra Kombëtare e Auditimit të auditohen pasqyrat financiare të shpenzimeve për shënjimin e 11 vjetorit të pavarësisë apo është duke bërë auditim të brendshëm. Të njëjtit kanë thënë se nuk janë në dijeni se me çka po merret aktualisht kjo Zyrë.

“Për të gjitha shpenzimet Auditori ka qasje në Zyrën e Kryeministrit, tash çka konkretisht janë duke punuar nuk e di”, thuhet në përgjigjen e Donjeta Gashit, zëdhënëse e qeverisë.

Ndërsa, nga Zyra Kombëtare e Auditimit thonë se çdo vit kryhet auditimi për Pasqyrat Financiare Vjetore të Zyrës së Kryeministrit, por për rastin në fjalë nuk janë përgjigjur nëse kanë marrë ndonjë kërkesë.

“Zyra Kombëtare e Auditimit çdo vit kryen auditimin për Pasqyrat Financiare Vjetore të Zyrës së Kryeministrit. Në përputhje me planin tonë vjetor, auditimi për Pasqyrat Financiare Vjetore të Zyrës së Kryeministrit për vitin 2018, është në proces dhe pritet të publikohet në muajin qershor”, thuhet në përgjigjen e ZKA-së për lajmi.net.

Për shpenzimet e qeverisë nga rezervat shtetërore u ankuan partitë opozitare. Për këtë çështje u mbajt edhe një seancë e jashtëzakonshme.

Opozita theksoi se shpenzimet për përvjetore të pavarësisë duhet të jenë të parashikuara pasi që të gjithë e dimë datën e saktë të saj.

Avazin e njëjtë qeveria e vazhdoi në po të njëjtën ditë duke ndarë 74 mijë e 200 euro për komunën e Mitrovicës, nga rezervat shtetërore.

Ministria e Financave ka bërë të ditur për lajmi.net se në Buxhetin e vitit 2019, te nën programi “Shpenzimet e Paparashikuara” në kuadër të kategorisë së shpenzimeve ‘Rezervat’, janë të ndara 4.8 milion euro.

Theksohet se këto mjete janë të buxhetuara për të adresuar rastet e kërkesave të paparashikueshme si fatkeqësitë natyrore.

Related posts