Zyra e Rregullatorit për Energji Elektrike ishte ankuar në Gjykatën Kushtetuese që të nis shqyrtimin e kërkesës së saj për faturimin e rrymës në veri. Gjykata Kushtetuese e Republikës së Kosovës, sot ka publikuar Aktgjykimin e parashtruar nga Zyra e Rregullatorit për Energji e Republikës së Kosovës, në të cilin u kërkua që të bëhet vlerësimi i kushtetutshmërisë së Aktgjykimit të 9 marsit 2023 të Gjykatës Supreme të Republikës së Kosovës, të dorëzuar në Gjykatë bazuar në paragrafin 7 të nenit 113 [Juridiksioni dhe Palët e Autorizuara] të Kushtetutës së Republikës së Kosovës.
Gjykata, njëzëri, konstatoi që kërkesa është e pranueshme; dhe Aktgjykimi i 9 marsit 2023 i Gjykatës Supreme, nuk është në kundërshtim me paragrafin 1 të nenit 31 [E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm] të Kushtetutës së Republikës së Kosovës dhe paragrafin 1 të nenit 6 (E drejta për një proces te rregullt) të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut.
“Rrethanat e rastit konkret ndërlidhen me padinë e Avokatit të Popullit (i) për anulimin si të kundërligjshëm të Vendimit të 6 shkurtit 2012 të Zyrës së Rregullatorit për Energji “për reduktimin e humbjeve të shpërndarjes së energjisë elektrike”; si dhe kërkesën për kompensimin e dëmit konsumatorëve të cilët janë faturuar për shpenzimin e energjisë elektrike në katër komunat veriore të Republikës së Kosovës. Avokati i Popullit para gjykatave të rregullta kishte pretenduar, ndër tjerash, që faturimi i energjisë elektrike të shpenzuar në katër komunat veriore të Republikës së Kosovës tek konsumatorët e tjerë që banojnë në komunat tjera të Republikës së Kosovës, paraqet shkelje të Ligjit nr.05/L-084 për Rregullatorin e Energjisë dhe Ligjit nr.05/L-085 për Energjinë Elektrike; dhe kjo praktikë e faturimit paraqet shkelje të së drejtës në pronë të garantuar me nenin 46 [Mbrojtja e Pronës] të Kushtetutës dhe shkelje të së drejtës për barazi para ligjit të garantuar me nenin 24 [Barazia para Ligjit] të Kushtetutës”, thuhet në njoftim.
Qytetarët e komunave: Mitrovicë e Veriut, Leposaviq, Zveçan dhe Zubin Potok – kryesisht serbë – nuk e kanë paguar rrymën e shpenzuar tash e më shumë se dy dekada. Një gjykatë në Kosovë vendosi që pagesa e rrymës së shpenzuar për veriun nga qytetarët e tjerë të Kosovës ishte e jashtëligjshme.
Ky vendim ishte konfirmuar edhe nga Gjykata e Apelit dhe Gjykata Supreme.
“Pas vlerësimit të pretendimeve të Avokatit të Popullit, Gjykata Themelore kishte anuluar si të kundërligjshëm Vendimin e lartcekur të Zyrës për Rregullatorin për Energji dhe kishte urdhëruar kthimin e shumës së faturuar, respektivisht kompensimin e dëmit konsumatorëve të cilët janë faturuar për shpenzimin e energjisë elektrike në katër (4) komunat veriore të Republikës së Kosovës për periudhën 6 shkurt 2012 deri më 20 tetor 2017, në vlerën prej dyzet milionë e tetëqind e pesëdhjetë e pesë mijë e katërqind e tetëdhjetë euro (40.855.480.00 EUR). Konstatimi i Gjykatës Themelore, u konfirmua nga Gjykata e Apelit dhe Gjykata Supreme. Sipas gjykatave të rregullta, në esencë dhe ndër tjerash, pavarësisht që Zyra për Rregullatorin për Energji ka kompetencën lidhur me trajtimin e parametrave rregullative dhe faturimin e kostos së rrymës së humbur në sistemin e transmisionit dhe shpërndarjes, të faturuarit e humbjeve të shkaktuara në katër (4) komunat veriore të Republikës së Kosovës tek konsumatorët tjerë të Republikës së Kosovës, kishte rezultuar në trajtim të pabarabartë të qytetarëve, në kundërshtim me përcaktimet e nenit 55 [Kufizimi i të Drejtave dhe Lirive Themelore] të Kushtetutës dhe Ligjit nr.05/L-021 për Mbrojtjen nga Diskriminimi”, thekson vendimi.
Që nga vendimi i parë i Themelores në vitin 2021, ende nuk ka nisur kompensimi i qytetarëve