
Shqiptaro-amerikani Gino Mulliqi solli në Klan Kosova rrëfimin e tij jetësor, duke ndarë ekskluzivisht për publikun udhëtimin e tij nga Kosova në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe rrugëtimin që e çoi deri në pozitën e nënkryetarit të Komunës së Wylie-it në Texas.
Ai tregoi se fillimisht kishte shkuar në SHBA për të studiuar, por me kalimin e kohës, jeta atje mori një drejtim tjetër dhe u bë shtëpia e tij për shumë vite.
“Gjithmonë kam pasur dëshirë të studioj në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Edhe pse kisha familjarë në një vend tjetër, rrëfimet e tyre më shtynë të ndjek ëndrrën time,” tha Mulliqi.
Ai shtoi se ishte përfshirë në një program që i mundësoi të shkonte në Amerikë ku përfundoi shkollën e mesme, duke jetuar në një familje amerikane.
“Më pas shkova në New York, ku jetonin të afërmit e mi. Atje nisa studimet, fillova punën, filloi jeta… dhe nga një javë, në një muaj e një vit, kaloi koha dhe mbeta aty. Kështu ndodh kur jeta të rrëmben në një vend të ri,” rrëfeu ai në intervistën për Klan Kosova.