970×90
970×90

Gërvalla flet për darkën e cila organizohet të mërkuren nga Borell

Gërvalla flet për darkën e cila organizohet të mërkuren nga Borell

Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla, ka deklaruar se delegacioni i Kosovës është i gatshëm që të nxjerrë rezultate pozitive nga dialogu me Serbinë.

Sipas saj, darka që është organizuar nga përfaqësuesi i lartë i Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme, Josep Borrell, me liderët e Ballkanit Perëndimor, të mërkurën, ka të bëjë me bisedimet për mundësinë e integrimit më të shpejtë të Ballkanit Perëndimor në strukturat e Bashkimit Evropian.

Ajo theksoi se duhet të arrihet marrëveshje në dialogun me Serbinë.

“Zëvendëskryeministri Bislimi do vijë këtu për të arritur një marrëveshje, sepse dialogu duhet t’i shërbejë marrëveshjes dhe jo takimeve të shpeshta, pra të ketë rezultate. Bislimi vjen të premten këtu dhe do shohim çfarë rezultatesh do të kemi. Delegacioni kosovar është shumë i gatshëm për të sjellë rezultate në këtë proces të dialogut”, tha Gërvalla.

Ndryshe, përfaqësuesi i Lartë i Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borrell, do të organizojë një darkë joformale me gjashtë liderët e Ballkanit Perëndimor të mërkurën, më 11 maj.

Këtë vit, sipas njoftimit, çështja e sigurisë në Evropë do të jetë në krye të agjendës në mes të pushtimit të paprovokuar rus të Ukrainës.

Tradita e mbajtjes së një darke të tillë joformale ishte nisur nga paraardhësja e Borrellit, Federica Mogherini, e cila takonte liderët e Ballkanit çdo vit në darkë joformale, për të diskutuar për të ardhmen e rajonit dhe sfidat kryesore me të cilat përballej ky rajon.

Pjesëmarrjen në darkën në Bruksel e kanë konfirmuar: ministrja e Jashtme dhe e Diasporës e Kosovës, Donika Gërvalla, presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, presidenti i Malit të Zi, Millo Gjukanoviq, kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Dimitar Kovaçevski, dhe kryesuesi i Këshillit të Ministrave të Bosnjë e Hercegovinës, Zoran Tegeltija.

Kosova përfaqësohet në këtë darkë joformale me kryediplomaten Gërvalla, pasi presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, dhe kryeministri Albin Kurti, gjenden për vizitë në Shtetet e Bashkuara.

Para darkës joformale, të gjithë pjesëmarrësit do të zhvillojnë bisedime të shkurtra dypalëshe me shefin e diplomacisë së bllokut evropian, Josep Borrell.

Related posts