
Miliarderi dhe filantropisti amerikan George Soros publikoi një opinion në gazetën austriake Der Standard me titull “Vladimir Putini dhe rreziku i Luftës së Tretë Botërore”. Ai përshkroi veçanërisht marrëdhënieve në mes të Rusisë dhe Kinës.
Soros është themeluesi i Fondacionit të Shoqërisë së Hapur dhe një avokat i madh i demokracisë liberale. I lindur në një familje hebreje në Budapest të Hungarisë në vitin 1936, ai i mbijetoi Luftës së Dytë Botërore dhe pushtimit nazist dhe pas luftës emigroi në Britaninë e Madhe, ku u diplomua në London School of Economics. Më pas ai u transferua në Shtetet e Bashkuara dhe themeloi një nga fondet më të suksesshme të investimeve në botë.
“Fillimi i luftës së tretë botërore që ka potencialin të shkatërrojë qytetërimin tonë”
“Pushtimi rus i Ukrainës më 24 shkurt shënoi fillimin e Luftës së Tretë Botërore, e cila ka potencialin të shkatërrojë qytetërimin tonë”, fillon në mënyrë dramatike opinionin e tij miliarderi Soros.
Ai shkruan se pushtimi pasoi një takim të gjatë midis presidentit rus Vladimir Putin dhe presidentit kinez Xi Jinping më 4 shkurt – ditën e festimit të Vitit të Ri Hënor Kinez dhe Olimpiadës Dimërore të Pekinit.
“Në fund të atij takimi, të dy ata publikuan një deklaratë të hartuar me kujdes prej 5000 fjalësh, duke deklaruar një partneritet të ngushtë në mes të dy vendeve të tyre”, kujton Soros.
Afërsia problematike e Rusisë dhe Kinës
“Unë u befasova që Xi dukej se i dha Putinit një kartë të bardhë për të pushtuar Ukrainën dhe për të luftuar kundër atij vendi. Ai duhet të jetë shumë i bindur se konfirmimi i tij si sundimtar i përjetshëm i Kinës më vonë gjatë vitit do të jetë thjesht një formalitet. Pasi të përqendrojë të gjithë fuqinë në duart e tij, Xi ka hartuar me kujdes një skenar që e vendos atë në të njëjtin nivel me Mao Ce Dunin dhe Deng Xiaoping”, tha Soros, i cili sheh një rrezik të madh në afrimin e Rusisë dhe Kinës.
“Pasi mori mbështetjen e Xi, Putini filloi realizimin e ëndrrës së tij të jetës me brutalitet të jashtëzakonshëm. Tani pothuajse 70 vjeç, Putin beson se nëse dëshiron të lërë një gjurmë në historinë ruse, momenti është tani ose kurrë. Por ai ka një perceptim të shtrembëruar të rolit të Rusisë në botë. Duket se beson se populli rus ka nevojë për një perandor që ta ndjekë verbërisht. Është krejtësisht e kundërta e një shoqërie demokratike, është një vizion që shtrembëron “shpirtin rus”, emocional deri në sentimentalizëm”, shkruan ai.
“Putini e ka humbur lidhjen me realitetin dhe ukrainasit po ofrojnë rezistencë të guximshme”.
Soros beson se anëtari dinak i dikurshëm i KGB’së, ka ndryshuar kohët e fundit.
“Ai duket se ka zhvilluar një ide fikse dhe e ka humbur kontaktin me realitetin,” tha ai.
Soros ka vetëm fjalë lavdërimi për ukrainasit.
“Në çdo rast, ai e vlerësoi gabim situatën në Ukrainë. Ai supozoi se ukrainasit rusishtfolës do t’i mirëprisnin ushtarët rusë me krahë hapur, por doli se ata nuk ishin aspak të ndryshëm nga popullsia ukrainas-folëse. Ukrainasit deri më tani kanë treguar guxim të jashtëzakonshëm, rezistencë ndaj një situate në dukje e pashpresë”, shkruan ai.
Soros beson se ushtria ruse është në një gjendje të keqe dhe se Ukraina mund të fitojë me ndihmën e Perëndimit, përcjell Gazeta Online Reporteri.net.
Soros shkruan se ushtria ruse është më e dobët nga sa mendohet.
“Ushtria ruse u tregua e dobët kur u urdhërua të sulmonte vëllezërit ukrainas. Gjithashtu, korrupsioni i rrënjosur në dhënien e kontratave të mbrojtjes luajti një rol të madh në këto rezultate të dështuara. Në vend që të fajësonte veten, Putini duket se e ka humbur mendjen në raport me të vërtetën.
“Ai vendosi të dënojë Ukrainën sepse ajo e kundërshtoi dhe duket se i ka humbur të gjitha frenimet. Ai hedh të gjithë ushtrinë ruse në betejë dhe injoron të gjitha rregullat e luftës, duke bombarduar edhe civilë. Që atëherë, shumë spitale janë goditur”, ka shkruar ai.
Rusia mund ta humbasë shumë lehtë luftën, tha Soros.
“Si SHBA dhe Bashkimi Evropian po dërgojnë armë mbrojtëse në Ukrainë dhe po bëhen përpjekje për të blerë avionë luftarakë MiG të prodhuar nga Rusia, me të cilët pilotët ukrainas të mësuar të veprojnë. Kjo mund të bëjë një ndryshim të madh” apeloi ai.
Cilido qoftë rezultati i luftës, Putini tashmë ka bërë mrekulli në promovimin e vendosmërisë dhe unitetit të BE-së, thuhet në koment.
“Ne vetëm mund të shpresojmë se Putini dhe Xi do të rrëzohen përpara se të mund ta zhdukin qytetërimin tonë”, përfundon Soros.