Nebojsha Radosheviq është 52-vjeçar, gazetar nga Prishtina, i cili 20 vjet më parë ishte ndaluar nga pjesëtarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe ishte mbajtur në arrest 41 ditë.
Në një intervistë të gjatë për portalin vice.com, pjesë të së cilës i transmeton Gazeta Express, Radosheviqi tregon se si ka mbetur gjallë dhe si e kanë shpëtuar armëpushimi dhe futbolli, respektivisht fama që babai i tij, ish-futbollist i Prishtinës, gëzonte në Kosovë.
“Punoja si reporter lufte gjatë konfliktit në Kosovë më 1998 dhe 1999 për Radion B92. Gjatë atij rreth një viti rregullisht shkoja në Prishtinë, bashkë me raportuesit e paktë vendorë dhe shumë të huaj. Ne disa nga ’92-shi’ kishim obligimin dhe privilegjin që minutë pas minute ta informojmë opinionin publik serb, i cili jetonte në terrin informativ të regjimit të Millosheviqit – për atë se çka vërtet ndodh në Kosovë”, kujton atë kohë Radosheviqi.
Atë dhe kolegun e tij nga Tanjugu Kiqo Dobriçiq, më 18 tetor 1998, në afërsi të aeroportit të Sllatinës, i kishin arrestuar kryengritësit shqiptarë, të cilët atë verë dhe vjeshtë po zhvillonin luftime të ashpra me forcat serbe në mbarë Kosovën.
Meqë atë ditë kishte hyrë në fuqi një armëpushim, kur regjimi serb lejoi misionin e OSBE-së të vendoset në Kosovë, dy gazetarët serbë kishin vendosur që me një “Yugo Florida” ta vizitojnë aeroportin, ku pritej të arrijë delegacioni i OSBE-së, ndërsa pikërisht atëherë kishte nisur edhe tërheqja e forcave serbe.
“Rrugës për në fshatin Sedllarë hasëm në një grup më të madh shqiptarësh të uniformuar. Rreth 15 veta qëndronin skaj rrugës, na ndaluan, na legjitimuan. Na pyetën në gjuhën serbe dhe u kishin mjaft mirësjellje. Na nxorën nga makina, na larguan nga rruga dhe na i lidhën duart dhe sytë. Së shpejti na futën në makinë dhe na çuan në Sedllarë, që është rreth 15 kilometra nga qendra e Prishtinës”, rrëfen Radosheviqi.
Nga 41 ditët sa kanë qenë të arrestuar, 20 ditë i kanë kaluar në atë fshat – 10 ditët e para në dhoma të ndara, në godinën e braktisur të Shtëpisë së shëndetit, pas çka i kanë bashkuar në një dhomë.
I pyetur se a ka pasur frikë, gazetari serb thotë se është e natyrshme që në situatë të tillë njeriu të jetë i trembur. Megjithatë, thotë, ka qenë mjaft i qetë, ngase e ka kuptuar se ka armëpushim, se ekziston një marrëveshje politike, se në Kosovë ka arritur OSBE-ja dhe se askujt s’i leverdis nëse pësojnë dy gazetarë.
“Në fund doli se ashtu kishte qenë me të vërtetë. Po të ishte ndonjë çast tjetër i rrëmbimit, pikëpyetje është se si do të përfundonte e tërë kjo”, thotë Nebojsha.
Megjithatë, shton ai, ka qenë një moment tjetër, krahas armëpushimit, që i ka ndihmuar edhe më shumë.
“Gjëja që ndoshta më së shumti ma shpëtoi kokën është mbiemri im, respektivisht babai im Dragan Radosheviq. Që ditën e parë kur në atë fshat komandanti lokal shqiptar ma mori letërnjoftimin, gjëja e parë që më pyeti ishte ‘ç’e ke ti Dragan Radosheviqin?’. Unë i përgjigja se e kam baba, e ai ma ktheu ‘ti Radosheviq për asgjë s’duhet të brengosesh’. Im atë ishte futbollist legjendar, kapiten i Prishtinës, e më vonë edhe trajner i atij klubi. Ishte shumë i respektuar dhe i dashur edhe nga serbët edhe nga shqiptarët”, rrëfen Nebojsha Radosheviq.
Ai tregon se ky fakt i ka ndihmuar edhe që të ketë trajtim kryesisht korrekt gjatë arrestit, sidomos në fshatin e parë, ku kanë qëndruar tri javë – kanë marrë ushqim dy-tri herë në ditë, cigare, ujë. Ka ndodhur që ndokush edhe t’i ofendojë, por dhunë fizike mbi dy gazetarët nuk është ushtruar.
Ditën e tretë u kanë thënë se janë të akuzuar për spiunazh dhe se do të duhet të dalin para gjykatës së tyre. Problemi ka qenë se kanë hyrë në territorin e UÇK-së pa lejene e përfaqësuesit të saj politik në Prishtinë, Adem Demaçit dhe pa shenjën PRESS në Makinë.
“Mendoj, nuk është fort e realtë që gazetarët e agjencisë shtetërore të kërkojnë leje për të lëvizur nga UÇK-ja… por nejse”, thotë ai.
Të nesërmen, kujton Nebojsha, ka ndodhur një ngjarje për të cilën ka menduar se është fundi i tij.
“Ditën e katërt hyri te ne një ekip prej 4-5 vetave, me një komandant të UÇK-së. Nuk do të mund t’i njihja sot, sepse në atë moment nuk i kisha më as syzet. Ai kryesori hyri në dhomë, me shumë agresivitet, bërtiste, ma futi gypin e Tompsonit në gojë, pastaj ma mbështeti në sy, sërish në gojë… më detyronte të bërtas UÇK duke më treguar stemën në uniformë.
Është pak të thuhet se e tërë ajo ishte e pakëndshme. Gjithçka më kalonte nëpër kokë, madje në një moment mendova – Hajde, shkrepe njeri, më mirë edhe ajo sesa të më therësh.
Pastaj përnjëherë u qetësua, qeshi, më pyeti se kush jam, a po më ngacmon ndokush, më la cigare dhe doli. E dëgjova pastaj se përpara po bisedon me dikë në serbishte, por nuk e di se me kë. Pastaj iku.
Nja dy ditë më vonë na erdhën rrobat e pastra dhe cigare që na i kishin dërguar familjet përmes Kryqit të Kuq Ndërkombëtar. Edhe kjo për mua ishte një shenjë se rreth nesh diçka po ndodh”, rrëfen Radosheviqi.
Lirimi i dy gazetarëve serbë kishte ndodhur me 27 nëntor, kur UÇK i ka çuar në Prishtinë dhe i ka dorëzuar në OSBE, ku personalisht i ka pritur shefi i misionit William Walker.
Në atë një vit, siç përkujton Nebojsha Radosheviqi, në Kosovë janë zhdukur tetë njerëz nga mediat serbe. Gjashtë të tjerët kurrë nuk janë gjetur./Gazeta Express/p