Gazetari serb nga Bela Crkva, Stefan Cvetkoviq, i cili hetonte vrasjen e politikanit serb nga Kosova, Oliver Ivanoviq, ka deklaruar gjatë një konference për media se gjatë të mërkurës tre persona e kishin rrëmbyer, ku njëri prej tyre kishte armë dhe distinktiv që i ngjante shumë atij të policisë, shkruajnë mediat serbe.
Ai ka pranuar se nuk e kishin rrahur apo keqtrajtuar gjatë kohës sa e kishin mbajtur, dhe se për asnjë moment nuk kishin komunikuar me të, transmeton Telegrafi.
Cvetkoviq ka thënë se tre persona e kishin ndalur, ku dy prej tyre ishin të maskuar dhe e kishin dërguar me furgon në një lokacion që sipas gjitha gjasave gjendet në Bela Crkva.
Ai shtoi se gjatë asaj periudhe i kishte sytë e mbyllur dhe se nuk mund të shihte asgjë dhe të dinte ku është dhe me kë, por në një komunikim të shkurtër me njërin prej personave që e kanë rrëmbyer ka vërejtur se ka theks slloven.
Pas një kohe, personat që Cvetkoviq i ka etiketuar si rrëmbyesit e tij e kanë pyetur nëse dëshiron ta lirojnë, me ç’rast e kanë dërguar në vendin ku është rrëmbyer, duke e urdhëruar që mos ta heq kapelën nga koka për të paktën pesë minuta, “nëse dëshiron të mbetet gjallë”.
“Askush nuk policia nuk më ka gjetur. Në ato momente i telefonova një zyrtar policor që ia di numrin”, ka deklaruar Cvetkoviq, duke shtuar se ai polic menjëherë ka shkuar për ta marrë dhe dërguar në Beograd së bashku me shefin e policisë në Pançevë dhe përfaqësuesen e Ministrisë së Punëve të Brendshme, Dijana Hrkaloviq.
Para fillimit të konferencës për media, Cvetkoviq ka deklaruar se ishin pikërisht mediat ato që e kanë informuar se prokuroria ka paraqitur kërkesë kundër tij, për shkak të raportimit të rrejshëm dhe se për këtë nuk e ka informuar askush nga organet kompetente.
Ai ka thënë se nga dje (e hënë) janë duke e ruajtur policia, pasi ekzistojnë indikacione se mund të rrezikohet siguria e tij, por se lidhur me këtë nuk është marrë në pyetje.