
Paraditen e sotme, kryeministri në dorëheqje Ramush Haradinaj është intervistuar nga prokurorët e Gjykatë Speciale në Hagë.
Gazetari i Deutsche Welle, Bahri Cani, që e ka përcjellë nga afër intervistimin e Haradinajt ka thënë se ky i fundit ka zgjedhur që të mbrohet në heshtje.
“Absolutisht është procedura e cila zhvillohet në veçanti kur të dyshuarit vendosin të mbrohen në heshtje. Kemi pasë tre persona që janë mbrojtur në heshtje, Shukri Buja dje dhe sot Jakup Krasniqi dhe kryeministri në dorëheqje Ramush Haradinaj”.
“Për ne gazetarët ishte një eveniment pak a shumë monoton sepse nuk kemi mundur të marrim vesh shumë gjëra, por për të akuzuarit mendoj se është një prej strategjive se si ata të mbrohen”.
Cani në një lidhje direkte në Info Magazine të Klan Kosovës ka thënë se gazetarët nuk kanë qasje të përcjellin intervistimet që bëhen nga prokurorët e Gjykatës Speciale.
“Aty nuk lejohet të futet askush. Ne, gazetarët, kemi pritur përpara dhe të intervistuarit kanë dhënë vetëm deklarata për shtyp, nuk kishte konferencë për media”.
“Ramush Haradinaj ishte më bashkëpunues me gazetarët. Në ndërkohë, Jakup Krasniqi ka folur vetëm një fjali dhe atë me insistimin tonë”.
Por, ai ka kërkuar nga kolegët e tij gazetarë që të mirëkuptojnë të gjithë të intervistuarit që nuk japin shumë detaje, për shkak të procedurave që ua ndalojnë një gjë të tillë.
“Duhet kuptuar, siç ka qenë në rastin e Sylejman Selimit, Sami Lushtakut dhe të tjerëve, gazetarët duhet të kemi mirëkuptim që të dyshuarit ose personat që japin deklaratë, sepse nuk dihet në çfarë roli do të jenë këto deklarata, nuk mund të japin të gjitha detajet”.
Gazetari i Deutsche Welle ka thënë se bazuar në informatat që ai posedon prokurorët e Gjykatës Speciale po përpiqen ta kuptojnë se si ka funksionuar UÇK-ja që njerëzit përgjegjës të japin llogari.
“Ajo që është marrë vesh nga burimet tona, që nuk mund t’i them hapur, Prokuroria po përpiqet ta ngrejë një infrastrukturë se si ka funksionuar UÇK-ja që ndoshta një ditë dikush do të përgjigjet në bazë të përgjegjësisë sepse nëse dikush nuk e ka evituar ndonjë krim edhe ai është bashkëfajtor për krimet e bëra”.
Por, si është dukur Bahri Canit sot kryeministri Ramush Haradinaj pas intervistimit?
“Unë e kam përcjellë procesin e Ramush Haradinajt në Hagë. Ramush Haradinaj me siguri nuk ka qenë personi më i relaksuar dhe ajo që ai personalisht e tha ishte shpjegimi se pse ka dhënë dorëheqje nga posti i kryeministrit”.
“[Ramush] Haradinaj shprehet i bindur se nuk do të ketë aktakazë ndaj tij, ndoshta ka dëgjuar diçka brenda që eventualisht mund ta shpie atë në atë konstatim”.
“[Ramush] Haradinaj ishte jo edhe tepër i relaksuar dhe i kënaqur që e sheh vetën për herë të tretë para drejtësisë në Hagë”.