970×90
970×90
970×90
970×90

Gazetari amerikan: McGonigal ka përzier detyrën për përfitime personale me Ramën

Gazetari amerikan: McGonigal ka përzier detyrën për përfitime personale me Ramën

Mattathias Schvartz, gazetari investigativ amerikan, i cili ka publikuar një artikull të gjatë për Allison Guerriero, të dashurën e Charles McGonigal, personit që denoncoi ish-zyrtarin e FBI-së, zbulon detaje nga padia e ngritur ndaj ish-agjentit të FBI-së.

Në një intervistë për Euronews Albania, gazetari Schvarz, nënvizon se ka dyshime se McGonigal mund të ketë përfituar personalisht duke përdorur detyrën përmes marrëdhënies me kryeministrin Edi Rama.

Gazetari jep dhe detaje nga dëshmia e të dashurës se McGonigal e cila dyshohet se është dhe personi që ka çuar përpara drejtësisë ish-agjentin.

Ju sapo keni publikuar një artikull të gjatë në të cilin thuhet se Allison Guerriero, e dashura e Charles McGonigal është personi kyç në zbardhjen e plotë të aktivitetit të paligjshëm të ish-zyrtarit të lartë të FBI. Është kështu?

Schvartz: Po, për këtë çështje ka shumë detaje që nuk i dimë. Jam përpjekur shumë që të kontaktoj me Kryeministrin Edi Rama, por nuk është përgjigjur.

Ka refuzuar?

Schvartz: Në fillim ai kishte një zëdhënës që më shkroi, por kur Charles McGonigal u padit dhe padia kishte rrethana specifike për aktivitetin e Charles McGonigal dhe Kryeministrit Edi Rama, dhe që kur padia është bërë publike, ai ka injoruar çdo mesazh që i kam dërguar. Sipas meje, Rama mendon se e gjithë kjo po vlon. Mund të ketë një gjyq, ka shumë të ngjarë të dalin fakte të reja dhe në një farë mënyre Kryeministri Rama duhet të shpjegojë marrëdhënien me Charles McGonigal.

Më pyetët për Allison Guerriero. Ajo ishte e dashura e McGonigal në kohën kur ai ishte në FBI dhe bënte udhëtimet në Shqipëri. Sipas padisë, ai ka marrë para nga një person me lidhje në zbulimin shqiptar. Të gjitha këto po hetohen. Ka shumë mundësi që Rama ka lobuar kundër opozitës shqiptare, apo edhe për marrjen e kontratave për shpimin e naftës në Shqipëri. Charles McGonigal ishte partner në një firmë në Shqipëri bashkë me Shefqet Dizdarin, dhe agjentin tjetër Mark Mersini apo dhe me shqiptaro-amerikanin Agron Neza. Të katër kanë një kompani në kryeqytetin e Shqipërisë dhe ende nuk dimë asgjë.

Në padi është e qartë se qeveria mendon se Charles McGonigal përziente detyrën e tij me marrëdhënien që kishte me Kryeministrin Edi Rama për përfitime personale. Nëse do të isha në Shqipëri dhe do të isha një votues shqiptar i Edi Ramës, do të doja një sqarim nga ai për çfarë ka ndodhur. Ky është një shqetësim shumë i madh.

Sipas artikullit që ju keni shkruar, personi Allison Guerrero ka parë valixhen me para në banesën e përbashkët të tyre dhe që aty ka lindur dyshimi për afera të Charles McGonigal. Si është vënë në ndjekje Byroja Federale e Hetimit ndaj të Charles McGonigal? Cili ka qenë momenti që Byroja e Hetimit ka dyshuar për Charles McGonigal? Çfarë e ka bërë Byronë e Hetimit të shkojë ta hetojë dhe të nxjerrë më pas të gjithë këto fakte apo këto dyshime?

Schvartz: Është një pyetje shumë e drejtë. Përgjigjen ende nuk e dimë. Allison Guerrero ka dërguar një e mail tek kreu i FBI së zyrës së Nju Jorkut, ku i shkruan që të hetojë McGonigal dhe udhëtimet në Shqipëri, por kjo nuk është ende e konfirmuar. Unë e mail-in nuk e kam parë dhe nuk di ende nëse ata të cilët e kanë marrë këtë e mail, të mund të kenë ndërmarrë ndonjë veprim. Ne dimë që Charles McGonigal ka marrë para nga përfaqësues të Oleg Deripaskës – oligarkut rus. Përpara dy apo tre vitesh, kur FBI ka kryer kontroll banese në shtëpinë e Oleg Deripaskës në SHBA, mund të kenë gjetur prova që lidhin Oleg Deripaskën me Charles McGonigal dhe ndoshta prej aty ka nisur dyshimi që Mc Gonigal po punonte me Oleg Deripaskën në shkelje të ligjit amerikan për sanksionet.

A mund të jenë gjetur prova që lidhin Charles McGonigal me Shqipërinë, kryeministrin shqiptar, në banesën e Deripaskës?

Schvartz: Jo, po them që ndoshta mund të kenë shkuar tek rezidencat dhe banesat e Deripaskës dhe kanë parë më shumë për veprimtarinë e Charles McGonigal. Nga këtu mund ti kenë marrë të gjithë të dhënat, shkëmbimet e e mail-eve të tij dhe ndoshta janë parë dhe lidhjet e tij me Shqipërinë. Kjo është një mundësi. Versioni i tretë mendohet të jetë Mark Rossini, që është një agjent i FBI-së, dhe është gjykuar për veprime të paligjshme, ka punuar në Shqipëri me Charles McGonigal. Ndërsa një mundësi tjetër është: Çfarë lloj bashkëpunimi ka pasur mes tyre? Ndoshta është Rossini ai që ka dhënë informacioni për qeverinë.

Allison Guerrero është e penduar e drejtësisë amerikane?

Schvartz: Nuk e dimë. Gjithçka që dimë është se ajo thotë se duke qenë e zemëruar me Charles McGonigal ka dërguar një e mail tek shefi i FBI, ku i shkruan për udhëtimet e tij në Shqipëri, por nuk e di nëse ka qenë ky e mail ai që ka vënë në lëvizje FBI-në.

Agron Neza është agjent i FBI?

Schvartz: Jo. Është një ortak biznesi i Charles McGonigal, i cili dyshohet se është i përfshirë në aferat e tij. Nuk është akuzuar për aktivitete të paligjshme, ai thjesht njihet si ortak i tij në kompani shqiptare. Ka ende fakte të reja që nuk janë bërë publike dhe pazëlli nuk është plotësuar.

Ju keni publikuar një artikull dhe disa materiale ekskluzive në shtator të vitit 2022, në të cilat shihet se prokuroria federale e SHBA ka kërkuar të gjithë dokumentacionin përfshirë mesazhet telefonike, audiot e regjistruara, mesazhet e enkriptuara dhe thirrjet që janë kryer nga aplikacionet e ndryshme, shkëmbyer mes Charles McGonigal dhe kryeministrit të Shqipërisë Edi Rama. Çfarë do të thotë kjo për drejtësinë amerikane, pse janë kaq të rëndësishme për hetimin e autoriteteve tuaja këto komunikime?

Schvartz: Është e qartë se nga padia, por edhe nga raportime të tjera, që unë kam bërë, shihet qartë se Edi Rama dhe Charles McGonigal kanë pasur një marrëdhënie të ngushtë. Është logjike të themi se janë miq. Është një iniciativë nga Departamenti i Shtetit, për të reformuar sistemin e drejtësisë në Shqipëri që prej 2018 dhe është e mundur që Charles McGonigal ka qenë i përfshirë në këtë reformë. Padia thotë që McGonigal është takuar me Edi Ramën dhe ai mund të ketë filluar të hapë hetime që kanë qenë të lidhura me një lobim amerikan që po punonte për kundërshtarin politik të z. Rama. Padia thotë që ai ka folur me Edi Ramën për ata që duhet të marrin kontrata në Shqipëri sepse disa kompani mund të kenë qenë të lidhura me rusët ose jo, për mua kjo duket pjesë e një lobimi. Charles McGonigal ka marrë 225 mijë dollarë nga dikush që supozohet të kenë qenë pjesë e kundërzbulimit shqiptar, por kjo nuk është e konfirmuar.

Sipas informacioneve tuaja, përveç Charles McGonigal, a ka persona të tjerë nën hetim nga drejtësia amerikane lidhur me këtë çështje?

Schvartz: Dimë që është Sergei Shestakov i cili është ortak i McGonigal, ish-diplomat rus që jeton në Konektikat dhe është hetuar nga qeveria federale në lidhje me disa aktivitete të Charles McGonigal. Për sa i përket të tjerëve nuk e dimë ende.

Kryeministri shqiptar ka mohuar të ketë lidhje me zyrtarin e lartë të Byrosë Federale të Hetimit dhe ka deklaruar se nga konkluzioni i hetimit ka rezultuar se kryeministri shqiptar nuk ka asnjë lidhje me çështjen. A vazhdojnë hetimet në SHBA apo janë mbyllur?

Schvartz: Nuk e di. Por di sa ka një çështje në Gjykatë për Charles McGonigal dhe Sergei Shestakov. Nuk e di në çfarë mase departamenti i drejtësisë apo FBI po bën hetime për lidhjet me Shqipërinë. Do të doja shumë ta dija këtë gjë, por është e vështirë të marrësh informacion nga prokurorët apo hetuesit për çështjet për të cilat hetimi vazhdon.

Hetimi apo edhe ndëshkueshmëria për këtë rast a mund të kalojë kufijtë e SHBA në zbatim të Urdhrit Ekzekutiv të Presidentit Biden për luftën kundër korrupsionit në shtetet e Ballkanit Perëndimor dhe Shqipëri?

Schvartz: Sigurisht që sanksionet amerikane nuk besoj që zbatohen sipas ligjit ndërkombëtar për anëtarët e një shteti apo që janë në procedim. Shqipëria dhe SHBA kanë një marrëveshje ekstradimi dhe mendoj se do ishte për llogari të sistemit shqiptar dhe Gjykatave Shqiptare të kthejnë këtë përgjigje. Kjo është një çështje diplomatike që ka të bëjë me Departamentin e Shtetit, me marrëdhëniet e agjencive të zbatimit të ligjit dhe mundësia, që kryeministri Edi Rama të akuzohet nga një gjykatë amerikane, ka pak gjasa. Nuk e dimë nëse prokurorët besojnë se Rama ka kryer ndonjë krim në SHBA.

Ju jeni një gazetar profesionist i specializuar në investigimin dhe në çështjet e sigurisë kombëtare, nëse provohen akuzat ndaj Charles McGonigal a është cënuar siguria kombëtare e Shteteve të Bashkuara të Amerikës?

Schvartz: Kryeministri shqiptar aktualisht nuk është akuzuar, dhe akuzat për Charles McGonigal thonë që është përfshirë dhe Kryeministri shqiptar, por kjo nuk do të thotë që Rama ka kryer ndonjë gabim.

A e ka korruptuar Rama Charles McGonigal?

Schvartz: Nuk e dimë ende këtë. Çfarë po bën FBI me këtë çështje, ata po mbledhin informacione, hetimet mund të vazhdojnë. sa i përket sigurisë kombëtare amerikane, vetë qeveria e përcakton çfarë McGonigal di për këtë. Vlerësimi i dëmit është në vazhdim e sipër, duhet të presim. /EuronewsAlbania/

Related posts