Zëvendëskryeministri i Kosovës, Dardan Gashi dhe kryetari i Partisë Progresive Serbe, Nenad Rashiq, kanë drekuar së bashku në Graçanicë në orët e pasditës së sotme. E kjo ka ndodhur një ditë pas daljes së Listës Serbe nga qeveria e Kosovës, vendim ky që u mor pasi u arrestua politikani Marko Gjuriq, për shkak të hyrjes ilegale në veri.
Siç mëson “Gazeta Blic” temë e diskutimi ka qenë zhvillimet e fundit politike në vend në mes Kosovës dhe Serbisë.
Ndonëse zyrtarisht nuk është thënë por ky takim mund të jetë sinjal, që bashkëpunimi po kthehet kah pjesa e politikanëve serb që janë më konstruktiv dhe i njohin institucionet e Kosovës.
Ndryshe, zëvendësimi i Listës Serbe me përfaqësues të popullit serbë në Kosovë është parë si opsion i mirë nga lideri i Vetëvendosjes Albin Kurti, i cili tha se në vend se të lutet Lista Serbe të kthehet në Qeveri, duhet të zëvendësohen ministrat e saj, duke ftuar që të bëhen pjesë e Qeverisë, ata serb që e pranojnë Republikën e Kosovës, ndërsa përmendi si shembull Nenad Rashiqin.
E një gjë e tillë sipas analistit Imer Mushkolaj, do të ishte zgjidhje, por ai nuk beson se Qeveria do të bëjë një veprim të tillë.
“Largimin e Listës Serbe nga Qeveria më shumë e shoh si një lloj shantazhi që Qeveria e Kosovës të mund të procedojë më shpejt me krijimin e asociacionit, por nuk besoj se do të mund të zëvendësohen me përfaqësues të tjerë të serbëve të Kosovës”, tha Mushkolaj për Radio Kosovën.
Për Qeverinë e Kosovës ka folur edhe presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, duke thënë se ajo nuk do të bie, pasi që, siç është shprehur Vuçiq, kur është puna të bëhen kundër serbëve, të gjithë shqiptarët do të bëhen bashkë. Vuçiq ka thënë se Lista Serbe do të qëndrojë në opozitë dhe do të luftojë për serbët e Kosovës, e për këtë do ta ketë ndihmën e shtetit serb.