
Në ditën e fundit të Festivalit “Mirëdita, Dobar Dan” që mbahet në kryeqytetin serb dhe që ka për qëllim promovimin e paqes mes të dy popujve, u promovua libri “Historia e Kosovës në tekstet e Historisë së Kosovës, Shqipërisë, Serbisë, Malit të Zi dhe Maqedonisë” i studiuesit Shkëlzen Gashi.
Në promovim të librit, Gashi theksoi disa elemente kryesore që u radhitën si karakteristika të këtij libri, e të cilat ngjallën mjaft diskutim në audiencën serbo-shqiptare të Beogradit, shkruan Reporteri.net.
Sipas studiuesit, cka përmendet në historitë e Kosovës mungon në ato të Serbisë, e po ashtu cka përmendet në historitë e Serbisë mungon në ato të Kosovës, duke potencuar se shumë ngjarje hiperbolizohen nga njëra palë e zvogëlohen nga tjetra dhe anasjelltas.
Ndër pikat e përmendura si kryesore, Gashi e ka përmendur edhe bashkëpunimin e shqiptarëve dhe serbëve ndër vite e të cilat, sipas Gashit, nuk përmenden në librat e Historisë as të Kosovës e as të Serbisë.
“Një karakteristikë është që këto tekste nuk i përmendin kërkund bashkëpunimet në mes të shqiptarëve dhe serbëve përgjatë krejt historisë. Ndoshta duke filluar prej sundimin mesjetar serb në Kosovë, për dy shekuj para se të futej nën sundimin e Perandorisë Osmane, territori i Kosovës së sotme ka qenë nën sundimin e mbretërve të ndryshëm serbë dhe ka pasur një bashkëpunim të jashtëzakonshëm në mes shqiptarëve dhe serbëve në atë kohë, mirëpo ky bashkëpunim nuk përmendet askund, as në tekstet e Kosovës e as në tekstet e Serbisë”, ka thënë Gashi.
Sipas Gashi, edhe figura më e ndritur e shqiptarëve, heroi Skënderbeu, kishte bashkëpunim me serbët, madje disa familjarë të tij ishin martuar me familje të larta serbe.
“Ndoshta është me rëndësi me përmend këto tek puna e bashkëpunimeve, edhe njëri prej herojve ma të rëndësishëm kombëtar të shqiptarëve, jo veç në Kosovë por të gjithë shqiptarëve në Ballkan, e që është Skënderbeu, në tekstet e këtyre dy vendeve nuk përmendet askund që babai i tij ka qenë i martuar me një grua prej një dere shumë të njohur serbe, Vojsava Brankovic. Nuk përmendet as që fëmijëve të tij ai u ka lënë emra ortodoks ose sllavë si Stanisha, Mamica, Vllahica e kështu me radhë; dhe nuk përmendet kërkund që motra e Skëndërbeut Mara, ka qenë e martuar me Stefan Cernojevic, ose që djali i tij Gjoni ka qenë i martuar me çikën e tretë të despotit serb Lazar”, ka shtuar ai.
Ndërkohë, ai ka përmendur edhe heroi tjetër të Kosovës, Isa Boletinin, si të mbështetur me armë dhe para nga serbi Milan Millojevic, i cili kishte qenë konsull në Prishtinë.
Dmth nuk përmenden kërkund këto bashkëpunime prej mesjetës e deri tek viti 1912. Por ndoshta më të rëndësishme janë këto bashkëpunimet prej vitit 1912 e këndej, deri tek viti 1989-90-91, kur fillon procesi i shpërbërjës së Jugosllavisë. P.sh tek luftat ballkanike, tek kryengritja e vitit 1912, nuk përmendet kërkund një bashkëpunim i jashtëzakonshëm mes njërit prej liderëve kryesor të kryengritjes shqiptare kundër Perandorisë Osmane në vitin 1912, e që është Isa Boletini, i cili ka pasur bashkëpunim të ngushtë me Milan Millojevic, i cili ka qenë konsull serb në Prishtinë. Milan Millojevic e ka financuar Isa Boletinin me pare e me armë për me luftu kundër Perandorisë Osmane.
Ndër të tjera, Gashi e ka përmendur edhe heroin Azem Bejta, i cili sipas tij ka bërë kryengritje kundër ushtrisë austro-hungareze me mbështetjen dhe bashkëpunimin e një serbi të njohur.
Sidoqoftë, Gashi ka folur edhe për mënyrën se si mund të dilet nga kjo situatë ku librat e historisë së njërit vend mohojnë ato që pohohen në historitë e tjetrit, mirëpo ka theksuar se kjo nuk mund të bëhen pa largimin e klasave politike, duke përmendur politikanë si Hashim Thaci, Ramush Haradinaj, Kadri Veseli, Aleksandar Vucic e Ivica Dacic.

Për shkak të ndjesisë së temës dhe nëvojës për kuptim të kontekstit, Reporteri.net iu sjell të plotë pjesën ku studiuesi Gashi flet për karakteristikën e “mospërmendjes së bashkëpunimit” nga historitë e të dyja vendeve:
Një karakteristikë është që këto tekste nuk i përmendin kërkund bashkëpunimet në mes të shqiptarëve dhe serbëve përgjatë krejt historisë. Ndoshta duke filluar prej sundimin mesjetar serb në Kosovë, për dy shekuj para se të futej nën sundimin e Perandorisë Osmane, territori i Kosovës së sotme ka qenë nën sundimin e mbretërve të ndryshëm serbë dhe ka pasur një bashkëpunim të jashtëzakonshëm në mes shqiptarëve dhe serbëve në atë kohë, mirëpo ky bashkëpunim nuk përmendet askund, as në tekstet e Kosovës e as në tekstet e Serbisë.
Është mbretëria e Car Dushanit, njërit prej mbretërve më të rëndësishëm të Serbisë Mesjetare, i cili e ka pasur një bashkëpunim të jashtëzakonshëm me shqiptarët dhe me popujt e tjerë përreth, madje ai mbretërinë e vet nuk e ka quajtur mbretëria serbe, por Mbretëria e Serbëve, Grekëve dhe Arvanasve, pra shqiptarëve.
Dhe është ndoshta interesant me potencu që mbreti Dushan e ka futur nën kontrollin e vet tërë territorin, jo veç të Kosovës së sotme por edhe të Shqipërisë së sotme, dhe këtë e ka bërë me përkrahjen e fisnikëve shqiptarë, apo aristokratëve shqiptarë, disa prej të cilëve kanë fituar edhe tituj të lartë. Për më shumë, mbreti Dushan me ushtrinë e vet e kanë futur nën kontroll edhe gjysmën e territorit të Greqisë së sotme, dhe për këtë i ka pasur ushtarë si para, si mbrapa, si majtas, si djathtas, ushtarë shqiptarë. Për më shumë, ai njërën prej selive më të rëndësishme e ka pasur në Shkodër, dhe kur është nisur me ushtrinë e tij për t’u futur në territorin e Kosovës së sotme, aty tek Nerodimja, është ndeshur dhe ka sulmuar babën e vet Stefan Decanskin, dhe e ka vrarë bashkë me ndihmën e bashkëluftëtarëve të vet që i ka pasur shqiptarë.
Këto bashkëpunime, dmth, nuk përmenden kërkund. Nuk përmenden që shqiptarët në mesjetë nën mbretërinë e serbëve e kanë gëzuar një status të veçantë dhe kanë pasur trajtim të veçant. Përderisa në kodin e mbretit Dushan është thënë eksplicit që serbi nuk bën të martohet me një vllahe, kodi i Dushanit e thotë qartë që kjo nuk lejohet as për shqiptarët. Madje, psh një prej mbretërve më të rëndësishëm mesjetar serb, mbreti Milutin, i cili e ka ndërtuar Manastirin e Graçanicës, ai në kodin e vet i ka barazuar serbët me shqiptarë. Dhe këto nuk përmenden kurrkund.
Kur jemi tek Mesjeta, është me rëndësi me thanë që edhe kur prezantohet Beteja e Kosovës, një prej betejave më të rëndësishme e vitit 1389, nuk përmendet kurrkund që shqiptarët dhe serbët kanë luftuar bashkë kundër Perandorisë Osmane, natyrisht shqiptarët kanë qenë të ndarë në dy grupë atëkohë.
Ndoshta është me rëndësi me përmend këto tek puna e bashkëpunimeve, edhe njëri prej herojve ma të rëndësishëm kombëtar të shqiptarëve, jo veç në Kosovë por të gjithë shqiptarëve në Ballkan, e që është Skënderbeu, në tekstet e këtyre dy vendeve nuk përmendet askund që babai i tij ka qenë i martuar me një grua prej një dere shumë të njohur serbe, Vojsava Brankovic. Nuk përmendet as që fëmijëve të tij ai u ka lënë emra ortodoks ose sllavë si Stanisha, Mamica, Vllahica e kështu me radhë; dhe nuk përmendet kërkund që motra e Skëndërbeut Mara, ka qenë e martuar me Stefan Cernojevic, ose që djali i tij Gjoni ka qenë i martuar me çikën e tretë të despotit serb Lazar.
Dmth nuk përmenden kërkund këto bashkëpunime prej mesjetës e deri tek viti 1912. Por ndoshta më të rëndësishme janë këto bashkëpunimet prej vitit 1912 e këndej, deri tek viti 1989-90-91, kur fillon procesi i shpërbërjës së Jugosllavisë. P.sh tek luftat ballkanike, tek kryengritja e vitit 1912, nuk përmendet kërkund një bashkëpunim i jashtëzakonshëm mes njërit prej liderëve kryesor të kryengritjes shqiptare kundër Perandorisë Osmane në vitin 1912, e që është Isa Boletini, i cili ka pasur bashkëpunim të ngushtë me Milan Millojevic, i cili ka qenë konsull serb në Prishtinë. Milan Millojevic e ka financuar Isa Boletinin me pare e me armë për me luftu kundër Perandorisë Osmane.
Ose gjatë Luftës së Parë Botërore, një prej liderëve kryesor kryengritës në Kosovë, Azem Bejta, i cili ka luftuar kundër trupave austro-hungareze të stacionume në Kosovë, ka pasur një bashkëpunim të jashtëzakonshëm dhe një mbështetje shumë të fuqishme prej Kosta Pestanic(nuk dëgjohet mirë).
Ose kjo periudha në mes të dy luftave botërore, nuk përmendet kërkund që liderët kryesorë partizanë, në krye me Fadil Hoxhën, kanë pasur një bashkëpunim shumë të ngushtë me liderët partizanë serbë, me Miladin Popovicin dhe Dushan Mugoshën.