970×90
970×90

Gashi: Në rastin e Haki Rugovës ka tendencë politike

Gashi: Në rastin e Haki Rugovës ka tendencë politike

Shefi i grupit parlamentar i LDK-së, Arben Gashi, ka thënë se deklarata e kreut të kësaj partie, Isa Mustafës, për arrestimin e Haki Rugovës, nuk është ndërhyrje në drejtësi.

Gashi ka thënë se nuk mund të konsiderohet ndërhyrje në drejtësi deklarimi i Mustafës pasi, sipas Gashit, arrestimi i Rugovës nuk është i bazuar ligjërisht dhe, siç ka thënë ai, “shihet që ka tendencë politike ndaj Rugovës dhe LDK-së”.

“Ka indice të bazuara se arrestimi i Haki Rugovës është i pabazuar ligjërisht. Baza juridike për arrestim nuk ekziston. Nëse i merr të gjitha raportet vendore dhe ndërkombëtare e sheh që Kosova qëndron më së keqi sa iu përket arrestimeve sepse: arrestohet njeri, i bëhet gjyqi publik dhe në fund del i pafajshëm”, ka shtuar ai, teksa thotë se nga krejt procesi shihet se ka tendencë politike.

“Për këtë arsye kjo është shpërfaqje e problemeve në sistemin e drejtësisë. Unë nuk po e vlerësoj nëse zotëri Rugova ka lidhje shkak-pasojë, se do të vendosë gjykata në fund, por procesi si proces si është menaxhuar, shihet se ka tendencë politike ndaj zotit Rugova dhe LDK-së, prandaj dalja e zotëri Mustafës është me këtë qëllim”, tha Gashi në “Përballje”.

Kreut të Istogut, Haki Rugovës, i cili është kryetar i Komunës së Istogut dhe nënkryetar i LDK-së, i është hequr masa e arrestit shtëpiak me anë të një vendimi që ka marrë Gjykata e Apelit.

Related posts