
Liridon Fetahaj e ka paralajmëruar Feronikelin se nuk do ta ketë aspak të lehtë përballjen me Ballkanin që synon rezultat pozitiv në Suharekë.
Skuadra e Ballkanit ka bërë të gjitha përgatitjet e duhura për të dalë e pamposhtur nga përballja me kampionen në fuqi të IPKO Superligës, Feronikelin.
“Jemi përgatitur maksimalisht dhe synimi i Ballkanit në këtë ndeshje është rezultati pozitiv. E respektojmë Feronikelin sepse ka kualitet dhe është kampion në fuqi, por ne luftojmë për tri pikët e plota dhe cilido lojtar që do të nisë nga fillimi do ta japë maksimumin”, ka thënë Fetahaj, i cili në afatin kalimtar të verës është transferuar në Suharekë nga skuadra e Prishtinës, pasi nuk bënte pjesë në planet e trajnerit Mirel Josa.
Ballkani luajti baras, pa gola, 0-0, në ndeshjen e parë ndaj Dukagjinit në Klinë, kurse Feronikeli e mposhti bindshëm në Drenas, Drenicën (4-1).
Synimi i kampionëve në fuqi është fitorja edhe në ndeshjen e dytë. Përparim Islami ka thënë për gazetë se Ballkani ka skuadër cilësore, por fitorja do t’i takojë Feronikelit.
“Kampionatin e kemi filluar ashtu siç e kemi parashikuar, kemi bërë një lojë mjaft të mirë dhe e kemi fituar ndeshjen me rezultat të thellë 4-1 ndaj Drenicës. Tash lojën e radhës e kemi me Ballkanin, një ekip mjaft i kompletuar, që ka bërë përforcime cilësore, po ashtu ka bërë ndryshime edhe në shtabin teknik. Loja do të jetë e vështirë, por ne do t’i qasemi lojës në mënyrën më serioze dhe në Suharekë udhëtojmë për tri pikë”, ka
thënë Islami.