
Ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj, i shoqëruar edhe nga komandanti i FSK-së gjenerallejtënant, Rrahman Rama, dhe sekretarja e përgjithshme Rozafa Ukimeraj, ka vizituar kontingjentin e ri të automjeteve taktike HMMVW të radhitura në pistën e kazermës së FSK-së “Adem Jashari”.
Në komunikatën për media të Ministrisë së Mbrojtjes është theksuar se FSK-ja po fuqizon kapacitetet e veta operacionale taktike, duke shtuar kapacitetet me pajisje të reja, të blera sipas buxhetit të planifikuar dhe planit të zhvillimit dhjetëvjeçar të FSK-së.
“Rritja e kapaciteteve me pajisje taktike po bëhet në harmoni me Planin Gjithëpërfshirës të Transformimit dhe ngritjeve të kapaciteteve të FSK-së për të kryer misionin e vet kushtetues. Ngritja e kapaciteteve teknike të FSK-së dita-ditës tregon se ajo po ngritët sipas standardeve të NATO-s”, është thënë në komunikatën e Ministrisë së Mbrojtjes.