Në qershor 1999 Kosova fitoi lirinë pas një lufte të përgjakshme nga e cila kishin mbetur të vrarë mbi 13 mijë njerëz, mijëra tjerë të zhdukur, shumë shtëpi të djegura e mbi 1 milion të dëbuar.
Pikërisht në atë vakt, futbollisti më i mirë i botës, Luis Nazario Da Lima Ronaldo, kishte vizituar një ndër qytetet më të prekura të luftës, Gjakovën, në një ndërmarrje humanitare në këtë qytet.
Ronaldo ishte larg futbollisti më i mirë në botë, dhe luante për ekipin e Interit, ku pas një sezoni fantastik të parë [1997-1998] pësoi një lëndim të rëndë duke pasur një sezon me vetëm 19 ndeshje e 14 gola. Pas kësaj, Ronaldo nuk ishte kurrë më i njëjti, duke luajtur për tre vitet e ardhshme vetëm 17 herë për ekipin e tij e duke i shënuar 10 gola.
Shpirtin humanitar Ronaldo e shfaqi edhe pas përfundimit të karrierës së tij, por në atë kohë, rrëfimi për praninë e tij në Gjakovë mbeti për shumë kohë si një mit.