sh-deputeti i Vetëvendosjes, Florin Krasniqi, ka vendosur të mbështesë Partinë Social Demokrate e themeluar nga grupi i të pakënaqurve në Vetëvendosje. Në një bisedë për Express, Krasniqi ka thënë se beson në suksesin e PSD’së dhe është kundër idesë që individi të bëhet babë, pronar e aksionar i një partie. Ka thënë se Vetëvendosje është e grabitur nga një grup i njerëzve.
Biznesmeni shqiptar në Amerikë, Florin Krasniqi, ka vendosur të jetë në krah të Shpend Ahmetit në Partinë Social Demokrate.
Në këtë formë, ai ka thënë se do të jetë vetëm pjesë e PSD’së por pa ndonjë funksion të rëndësishëm partiak.
Në një bisedë për Gazetën Express, Krasniqi ka folur për partinë e re dhe për Vetëvendosjen. Ka thënë se Partia e Albin Kurtit është grabitur nga një grup i njerëzve.
“Jo, nuk do të kem pozitë. Do të ndihmojë në krijimin e një partie të mirëfilltë qysh kam besu se mund të ndërtohet Vetëvendosje. Nuk kam plan për karrierë politike”, ka thënë Krasniqi, për Express, të dielën.
Florin Krasniqi kishte pushuar aktivitetin politik para se grupi prej 12 deputetëve të largohej nga Vetëvendosje. Ishte thënë se shqiptari që financoi dhe ishte deputet i VV’së po largohet nga pozitat partiake për shkak të angazhimeve në biznesin e tij në Amerikë.
Por, Florin Krasniqi, thotë se u largua nga VV pasi nuk beson në kultin e individit, babës e pronarit të partisë.
“Mendoj se duhet të krijohet një parti politike ku njerëzit nuk janë pronarë, aksionarë, baballarë. Duhet të krijohet një parti e mirëfillta e nivelit europian. Edhe Vetëvendosje është grabitur prej një grupi të njerëzve. Unë nuk besoj në kultin e individit. Besoj në platforma në programe dhe në sisteme. Nuk besoj se një njeri mund ta nxjerrë Kosovën prej krize. Individi duhet të jetë pjesë e platformës dhe programit”, ka thënë Krasniqi, për Express.
Ky ish-zyrtar i Vetëvendosjes ka thënë se i beson projektit të Shpend Ahmetit në PSD dhe suksesit të kësaj partie.
“Në qoftë se e kanë seriozisht dhe sinqerisht, punojnë dhe angazhohen me seriozitet. Nuk dyshoj në aftësitë dhe kapacitetet e tyre. Besoj në socialdemokraci. Besoj në të drejtën e njerëzve me u nda. Edhe besoj kane me kanë të sukseshshëm. Ka me marrë kohë”, ka parashikuar Krasniqi.
Sipas tij, edhe PSD dhe partitë tjera duhet të edukohen dhe të ikin nga klanet, regjionet dhe primitivizmat tjerë.
Florin Krasniqi, për një kohë, kishte qenë njeriu kryesor i Vetëvendosjes që ishte konfrontuar me PDK’në dhe ish-zyrtarët e SHIK’ut. Kishte lëshuar akuza se SHIK’u i Kadri Veselit ishte organizatë kriminale.
Krasniqi ka ndihmuar Vetëvendosjen edhe financiarisht derisa në zgjedhjet e fundit nacionale nuk arriti të bëhej deputet.
Ka mbajtur edhe pozitën e anëtarit të Kryesisë së Vetëvendosjes.