Florin Krasniqi, ish-deputet i Vetëvendosjes, ka thënë sonte në T7 se faktet flasin se Vetëvendnosjen e ka ndarë vet Albin Kurti. Ai tha se Kurti ka pasur 100 rrugë për të mos shkuar deri aty, por ai e bëri.
Duke rrëfyer historinë e tij të lidhjes dhe ndarjes me Vetëvendosjes, Krasniqi tha se për dy vjet e gjysmë, për cdo muaj, ka dhënë para për këtë organizatë, para se ajo të hynte në procesin zgjedhor të 2010-ës.
Krasniqi ka thënë se ka pasur mospajtime me Albin Kurtin për cështje të ndryshme, sic kanë qenë demonstratat e vitit 2007, kur u vranë dy të rinj. Ai tha t’i ketë thënë Albin Kurtit se Kosova po shkon në luftë civile dhe këtë duhet ndalur. Ai shtoi se Albin Kurti kishte ambicie për revolucion.
Krasniqi tha po ashtu se nuk është pajtuar me përmbysjen e kamioneve nga ana e aktivistëve të VV-së.
“Njeriu që nuk ka bërë asnjë ditë punë, shkon dhe ia rrotullon kamionin e një njeriu i cili me atë punë mban familjen. I kam thënë Liburnit ‘me ma marrë mu kamionin, të vras’”, theksoi Krasniqi.
Po ashtu ai tha se nuk është pajtuar as me sulmet fizike që u bëheshin policëve.
“Polici, rrogën e vogël, kredi deri në fyt, fëmijët në shkollë, ndërsa shkoje dhe e godisje me guri në kokë”.
Florin Krasniqi tha se është kritikuar nga kolegët e tij të VV-së për mbajtjen e kravatës gjatë punës në Kuvend.
“Më thanë heq kravatën, sepse ajo është simbol i borxhezisë. Ndërsa tash po flejnë me kravata. Ata më jepnin pesë leksione të Leninit, unë ua jepja pesë të Reganit”, tha Krasniqi.