Prej pesë ditësh Rusia ka nisur luftën në Ukrainë. Populli ukrainas po jeton ditë të frikshme dhe të tmerrshme.
Shumë nëna dhe fëmijë janë larguar nga vendi i tyre, duke shkuar në vende më të sigurta. Ndërsa baballarët kanë marrë armët dhe janë bashkuar me ushtarët e tyre që të mbrojnë vendin.
Nga ana tjetër duket se në Rusi jeta vazhdon normalisht, sikur nuk ka luftë. Këtë e konfirmoi edhe një studente shqiptare, e cila jeton në Moskë. Ditën e sotme ishte në një lidhje të drejtpërdrejtë me emisionin “Wake Up” në Top Channel, ku tregoi se si po përjetohet lufta nga populli rus.
“Situata në Moskë është shumë e qetë. Njerëzit janë në rutinën e tyre. Moska nuk është prekur nga kjo gjë. Situata është e tillë dhe nisën protestat. Ishte e papritur edhe nga ne, por Moska nuk është prekur”, tha ajo.
Pjesë nga intervista:
Po nga sanksionet që ndodhën për Rusinë? Ka ndryshuar ndonjë gjë nga pjesa ekonomike?
Vumë re se shumë njerëz u drejtuan në banka për të tërhequr paratë e tyre. Pati një lloj ndikimi. Rritjet e çmimeve kanë pasur një rritje graduale që nga koha e Covid dhe mund të ndikojë edhe lufta.
Ti vetë ke dalë nëpër supermarkete? Ke marrë ushqime? Ke bërë përgatitje?
Të jem e sinqertë nuk kam bërë asnjë lloj përgatitje. Siguria është maksimale. Nuk ka dyndje të popullatës në supermarkete, ashtu siç ndodhi në kohën e pandemisë.
Po protestat?
Protesta kishte, por duke marrë parasysh popullatën këtu në Moskë, pjesëmarrja ishte e vogël.
Kanë pasur merak familjarët e tu?
Për nisjen e luftës më shpejt e mora vesh nga Shqipëria se nga këtu.