
Dhomat e Specializuara të Kosovës thënë se aktualisht s’ka as kërkesë publike e as vendim publik të ndonjë gjyqtari lidhur me lirimin e mundshëm të ish-presidentit Hashim Thaçi për të marrë pjesë sot në ceremoninë e varrimit të babit të tij në Burojë të Skenderajt.
Specialja në një përgjigje ka thënë se i publikon të gjitha dokumentet publike në faqen e Gjykatës.
“Të gjitha dokumentet publike, përfshirë parashtrimet prej Mbrojtjes si dhe vendimet e gjykatësve, janë të publikuara në faqen e internetit të DHSK-së. Aktualisht, nuk ka asnjë kërkesë apo vendim publik lidhur me këtë çështje. Korniza ligjore e Dhomave të Specializuara të Kosovës u mundëson personave në paraburgim që të bëjnë kërkesa tek gjykatësit kompetent kur ka arsye bindëse humanitare. Deri më tani, DHSK-ja ka menaxhuar 13 vizita nën mbikëqyrje në Kosovë për të paraburgosurit”, thanë ata në përgjigje.
Haxhi Thaçi vdiq të dielën, vetëm katër ditë pasi , Gjykata Speciale në Hagë i dha leje ish-presidentit Thaçi dhe erdhi në Kosovë për ta vizituar babanë e tij në gjendje të rënduar shëndetësore.
Gjykata kishte refuzuar disa herë kërkesat e Thaçit për të vizituar babanë në spital, por më 13 mars u dha leja, ndërsa Thaçi u prit me thirrjet “UÇK, UÇK” dhe “O Hashim, o hero, krejt Kosovën këtu e ke”.
Pasi ka përfunduar vizitën te babai i tij, Hashim Thaçi është kthyer në Hagë, ku po gjykohet për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit bashkë me ish-eprorët e tjerë të UÇK-së, Kadri Veselin, Rexhep Selimin e Jakup Krasniqin.