
Pas tubimeve me turma të mëdha nga partitë, këngëtarët nisin mbrëmjet muzikore.
Fushata për zgjedhjet e 14 shkurtit është përcjellë me debate të mëdha, shkruan lajmi.net.
Kjo për faktin se pavarësisht situatës së krijuar nga COVID-19, partitë grumbullonin numër të madh të qytetarëve nëpër tubimet e tyre.
E kjo gjë edhe kishte nxitur reagim të madh sidomos nga ana e këngëtarëve, puna e të cilëve është pezulluar pothuajse tash e një vit.
Por, ende pa përfunduar fushata nisën paralajmërimet për mbrëmje muzikore, e po vazhdojnë edhe pas zgjedhjeve.
Shumë prej këngëtarëve mbajtën mbrëmje muzikore me rastin e festës së Shën Valentinit, e disa të tjerë kanë paralajmëruar performanca për sonte, me rastin e përvjetorit të Pavarësisë.
Ermal Fejzullahu, Asim Gashi, Besart Halimi, Buraki dhe Grupi Fama, Robert Berisha, Fifi, Alban Mehmeti, Ramadan Krasniqi, Sabri Fejzullahu dhe Meda; janë disa prej artistëve që kanë filluar mbrëmjet muzikore.
Se a po respektohen masat anti-COVID në këto tubime, mbetet ende e paqartë ngase nuk janë të shumta pamjet që dalin në rrjete sociale nga këto ndeja.
Megjithatë, në disa që janë publikuar në rrjete sociale, për shembull gjatë Shën Valentinit, është parë që interesimi i pjesëmarrësve nuk ka qenë i vogël.
Orari i mbajtjes së mbrëmjeve muzikore tashmë ka ndryshuar dhe shumica prej tyre përfundojnë në orën 21:00.
Vetëm gjatë ditës së djeshme në Kosovë janë regjistruar edhe 249 raste të reja me COVID-19, ndërsa në Evropë dhe mbarë botën po konsiderohet rrezik varianti i ri i këtij virusi.
Se a do të vazhdojnë të mbeten masat e njëjta në fuqi pas largimit të orës policore, apo do të ndryshojnë gjatë ditëve në vijim, mbetet të shihet se si do të vepron Ministria e Shëndetësisë.