
Pavarësisht dështimit të njëpasnjëshëm për të 14-tën herë me radhë në përpjekjen për konstituimin e Kuvendit, atmosfera në ambientet e legjislativit nuk ka qenë tërësisht e zymtë.
Në një nga sallat e Kuvendit të Kosovës, sot (e diel) është festuar ditëlindja e deputetes dhe kandidates për kryetare të Kuvendit, Albulena Haxhiu.
Pamjet tregojnë momentin kur Haxhiu fryn qirinjtë e tortës, ndërsa përreth saj janë mbledhur kolegët e Lëvizjes Vetëvendosje që shfaqen të buzëqeshur dhe në disponim festiv.
Videoja është publikuar në InstaStory nga kolegia e saj, këngëtarja e mirënjohur tashmë edhe deputete, Edona llalloshi. Ministrja e Drejtësisë në detyrë sot mbush plot 38 vite jetë.
Megjithëse situata politike mbetet e tensionuar dhe bllokimi institucional po vazhdon, festa brenda radhëve të Vetëvendosjes duket se ka qenë një përpjekje për të lehtësuar atmosferën mes debateve politike dhe pritjeve të gjata.
Rikujtojmë se Kuvendi i Kosovës ende nuk ka arritur të konstituohet, kjo për shkak të mos votimit të kandidates së propozuar për kryekuvendare nga subjekti politik më i madh në vend.