Deputeti i LDK-së nga Gjilani, Fatmir Rexhepi po thotë se koalicioni me VV-në duhet të përfundojë brenda muajit janar derisa ka konfirmuar se s’do ta shkarkojnë Kryetarin e ri të Parlamentit.
Në një intervistë për Gazetën Express, ai ka thënë se çka ‘është boll është boll’ dhe se marrëveshja përfundimtare duhet të nënshkruhet.
Tutje Rexhepi ka thënë se kandidatja për kryeministre, Vjosa Osmani e ka përkrahjen e deputetëve të LDK-së si bartëse e fitores së partisë në zgjedhjet e 6 tetorit.
“Vjosa Osmani është plotësisht e përkrahur nga grupi parlamentar, Këshilli i Përgjithshëm, dhe nënkryetarët së bashku me Kryetarin të cilët duhet të marrë vendimin e drejtë dhe të arsyeshëm në interes të qytetarëve, në interes të një qeverisje të përbashkët me Vetëvendosjen normalisht edhe në interes të LDK-së dhe në interesin e funksionimit të institucioneve të shtetit tonë”, ka deklaruar deputeti i LDK’së.
Lidhur me zgjedhjen e Glauk Konjufcës në pozitën e Kryetarit të Kuvendit, Rexhepi tha se LDK-ja ka votuar pro dhe se nuk mundet ai të kërkojë që Konjufca të dorëhiqet.
“Unë nuk do të hyj në këto çështje në prag të marrëveshjes finale dhe ne anash që flasim nuk mund ta ndihmojmë procesin, por kryetari i zgjedhur është legjitim ne e kemi votuar, nëse VV-ja dhe lidershipi i të dy partive ose nëse zoti Konjufca e vlerësojnë se ka nevojë të bëhet një potez i tillë është në dorën e tij, por unë nuk mundem me kërku me u dorëheq ai sepse nuk kam aryse të caktuar me kërku dorëheqje kur e kemi votuar”, është shprehur Rexhepi.
Dy liderët e partive, VV-së dhe LDK-së kanë ndërprerë takimet për më shumë se një javë dhe komunikimin e vetëm publik e kanë bërë me shkëmbimin e dy letrave të cilat përmbajnë ofertat e njëra tjetrës se si të formohet qeveria.
Ish-Ministri i Punëve të Brendshme është shprehur se komunikimi me anë të letrave mes Kurtit dhe Mustafës nuk është forma më e mirë.
“Ajo që nuk më ka pëlqyer është komunikimi me letra mua personalisht dhe shumicës së qytetarëve nuk iu ka pëlqyer kjo formë sepse nuk është formë e komunikimit pasi që të dy partitë e kanë kontratën me elektoratin dhe nuk kanë pasur nevojë që me anë të letrave të bisedojnë”, tha ai.
Rexhepi ka deklaruar se ‘çka është boll është boll’, dhe dy liderët duhet të ulen dhe të mbyllin marrëveshjen.
“Siç thotë fjala “Çka është boll, boll është” nuk ka nevojë me shty më tutje, nuk ka shumë alternativa brenda dy varianteve që janë propozuar nga dy partitë unë besoj që ende ka mundësi që të ulen edhe ta gjejnë modelin më të mirë të formimit të qeverisë dhe pastaj të zgjedhjes së Presidentit”, tha zyrtari i LDK-së.
Tutje, deputeti i LDK-së tha se brenda këtij muaji marrëveshja mes dy partive duhet të përfundojë.
“Pavarësisht këtyre dy dallimeve që kanë dalur në fund tash, por unë mendoj se brenda janarit duhet të përfundojë kjo marrëveshje, dhe të dy lidershipet e partive mund ta gjejnë modalitetin dhe formën dhe do ta mbyllin këtë marrëveshje”, tha Rexhepi për Express i cili para një muaji kishte thënë se është pro koaliconit me VV-në pa e kushtëzuar me postin e Presidentit.
Deklaratat e zyrtarëve të LDK-së të cilët janë shprehur pesimistë dhe kanë fajësuar VV-në për tentim-nënshtrimi ndaj partisë së themeluar nga Ibrahim Rugova, Rexhepi tha “se ato janë deklarata individuale dhe nuk bënë me u marrë me to fare”.
Ish-Kandidati për Kryetar të Gjilanit, ka thënë tutje se Vjosa Osmani si kandidate për kryeministre bartë autoritetin e asaj pjese të fitores së LDK-së
“Zonja Osmani me vet faktin që ka qenë e nominuar për Kryeministre bart autoritetin e asaj pjese të fitores së LDK-së”, tha ai.
Ai ka shtuar se të dy partitë e kanë për borxh dhe obligim politik për të vazhduar bisedimet.
“Megjithatë negociatat duhet të vazhdojnë dhe po besoj që ata e kanë për borxh për obligim politik me kry këtë marrëveshje unë po them brenda janarit por është çështje që negociatat duhet vazhduar”, ka thënë Rexhepi.
Ndërkohë, sot, Haki Abazi i VV’së tha se s’ka Qeveri të pakicës derisa paralajmëroi takime të reja të Isa Mustafës me Albin Kurtin .
Lëvizja Vetëvendosje dhe Lidhja Demokratike kanë dështuar të arrijnë marrëveshje edhe më shumë se tre muaj prej se kanë përfunduar zgjedhjet. Madje, s’janë pajtuar për ndarjen e pozitave as pas votimit të Kryetarit të Kuvendit në fund të vitit të kaluar. Prej gjashtë muajsh, Kosova vazhdon të funksionojë me Qeveri në dorëheqje.
Albin Kurti dhe Isa Mustafa ishin takuar një ditë pasi kishin përfunduar zgjedhjet e 6 tetorit. Kishin thënë se koalicioni do të arrihej më së largu 72 orë pasi të certifikoheshin zgjedhjet. Tash, kur më 26 dhjetor është votuar Kryetari i Parlamentit, Vetëvendosje po refuzon të kthehet prapa dhe të shkarkojë ose detyrojë të japë dorëheqje njeriun që i kishte qëndruar Kurtit afër edhe kur pjesa më e madhe e njerëzve të partisë ia kthyen shpinën.
Albin Kurti ka thënë se Glauk Konjufca s’është Kadri Veseli për ta shkarkuar kur dy liderë partish merren vesh./GazetaExpress/