Një profil në rrjetin social ‘facebook’ me emrin e Haki Imerit që menaxhohet nga familjarë të të ndjerit ka reaguar pas arrestimit të Salih Mustafës nga Gjykata Speciale.
Për familjen Imeri arrestimi i Salih Mustafës është i rëndësishëm për drejtësinë dhe për viktimat dhe thotë se zhvillimi i sotëm tregon seriozitetin e Prokurorit Jack Smith, ndërkohë ka paralajmëruar edhe zhvillime të tjera të kësaj natyre.
Arrestimi i Sali Mustafes është nje lajm i rëndësishëm për drejtësinë te gjitha viktimat e tij…Kjo e tregon seriozitetin e Prokurorit Jack Smith dhe ekipës se tij. Do te ketë zhvillime tjera po aq te rëndësishme te kësaj natyre. Të gjithë ata epror t Sali Mustafes dhe te gjithë ata vartës te tij do ta kenë fatin e njëjtë. Drejtësia nuk harron , ata qe shantazh ojnë dëshmitarët ata sulmojnë direkt Gjykatën Speciale, sulmojnë drejtësinë sulmojnë viktimën sulmojnë vlerat Euroatlantike ..”, thuhet në këtë reagim.
Ky profil në ‘facebook’ ka potencuar se Salih Mustafa ka qenë shef i SHIK-ut për Prishtinë, organizatë për të cilën thotë se ka dalë nga Qeveria e Përkohshme e Kosovës dhe se duhet të jetë përgjegjëse për dhunën politike në Kosovë.
“Është me rëndësi te ceket se Sali Mustafa ishte shefi i Shikut te Kadri Veselit për Prishtine , organizate kjo kriminale e e vlerësuar nga mekanizma profesional te drejtësisë…Pra do te vërtetohet se Shiku pjelle e QPK -se duhet te jete përgjegjësi kyç për tere dhunën politike ne Kosove…”, përfundon reagimi.
Haki Imeri, ishte aktivist i LDK-së dhe ishte vrarë në rrethana ende të pasqaruara në nëntor të vitit 1999 në fshatin e tij. Presidenti Thaçi ndërkohë në vitin 2017 e kishte dekoruar me urdhrin “Hero i Kosovës, Hero i Kombit”.