970×90
970×90

Familja e Agonis Tetajt i humb shpresat në drejtësi, i drejtohet Gjykatës

Familja e Agonis Tetajt i humb shpresat në drejtësi, i drejtohet Gjykatës

Vrasja e të riut Agonis Tetajt në vendin e punës nga Shaban Gogaj, vazhdon të jetë një nga rastet më të diskutuara në Kosovë.

Familja Tetaj kishte publikuar xhirimet e kamerave të momentit kur ishte vrarë Tetaj, në mënyrë që t’i dëshmohet publikut në Kosovë se vrasja nuk ishte aksidentale ashtu siç e kishte klasifikuar dikur Prokuroria.

Megjithatë, Shaban Gogaj sërish u dënua për vrasje nga pakujdesia. Ai u dënua me 7 vjet e gjashtë muaj burgim. Megjithatë, Gjykata e Apelit e kishte kthyer rastin në rigjykim si pasojë e shkeljeve dhe faktit që nuk ishin marrë parasysh disa prova të rëndësishme.

Rigjykimi për vrasjen e Agonis Tetajt ka nisur sot. Por, as familja dhe as avokati Berat Tmava nuk do të shkojnë në seanca. Në një letër që avokati Tmava e ka nisur në adresën e gjyqtarëve në emër të familjes, bëhet e ditur se familja Tetaj i ka humbur shpresat në drejtësi.

Kryetarja e trupit gjykues, Violeta Husaj-Rugova kishte kërkuar përjashtimin e saj nga ky rast, megjithatë kryetari i Gjykatës së Pejës e ka refuzuar kërkesën. Seanca e sotme u ndërpre pasi njëri nga të akuzuarit nuk kishte avokat.

Në letrën që e ka siguruar ekskluzivisht gazeta Nacionale, numërohen disa prej provave që i njëjti trup gjykues nuk i kishte marrë parasysh në shqyrtimin e parë kur veprën penale e cilësoi “vrasje nga pakujdesia”

“Videoincizimi i ditës kritike i cili pasqyron në detaje veprimet e të akuzuarit i cili me dashje e privon nga jeta Agonis Tetajn, provë e pakontestueshme. Të cilën provë e përshkruan në mënyrë tepër profesionale ekspertët e forenzikës dhe me të gjitha përshkrimet e tyre konstatohet se vrasja është kryer me dashje dhe kryesi i veprës penale i kishte të ditura të gjitha elementet e përdoruesit profesional të armës së zjarrit. Dëshmitë e ekpsertëve Fejsal Lutfiu dhe Lutfi Raci nga institucionet e shtetit. Dëshminë e përgjegjësit për hetime në rajonin e Pejës Agron Hasanaj, i cili dëshmoi se në momentin e mbërritjes në vendin e ngjarjes rryma ishte e ndalur, vetëm në objektin ku kishte ndodhur rasti me qëllim që të manipulohen provat. Dëshmitë e policit Imer Hylaj që deklaronte se janë kontaminuar provat. Dëshmitë e policëve të stacionit të Deçanit që hynë pa autorizime në vendin e ngjarjes dhe i kontaminuan provat”, thuhet në këtë letër të siguruar nga Nacionale.

Të gjitha këto prova sipas familjes Tetaj dhe avokatit Tmava, nuk u morën parasysh në vendimin e shkallës së parë, për të cilat më pas Apeli vlerësoi se kanë qenë të rëndësishme për procesin gjyqësor.

Sipas familjes Tetaj, familja e të akuzuarit Gogaj është tejet e fuqishme në atë zonë, dhe ka ndikuar në gjithë procesin gjyqësor. Andaj, ata kanë theksuar se nuk do të vazhdojnë të jenë pjesë e këtij procesi gjyqësor.

“Familja e dëmtuar Tetaj më nuk do të jenë në Gjykatë si aktorë dekorues të një skenari i cili nuk ka fare të bëjë me ligjshmërinë dhe ndarjen e drejtësisë. Për fat të keq familja Tetaj i ka humbur të gjitha shpresat sidomos nga trupi gjykues në Gjykatën e Pejës, dhe dyshojmë se si do të jetë rezultati përfundimtar në këtë çështje juridiko-penale me një trup gjykues të udhëhequr nga ju”,thuhet në këtë letër.

Agonis Tetaj u vra në shtator të vitit 2018 në komunën e Deçanit, brenda një marketi që ishte edhe pompë derivatesh. Aty Tetaj ishte duke punuar, dhe i njëjti u vra nga djali i pronarit.

Rasti fillimisht ishte cilësuar vrasje e rëndë, më pas vrasje nga pakujdesia. Në atë moment, familja Tetaj i publikoi pamjet në media.

Për më shumë se një vit procesi mbeti i bllokuar, pasi avokati Besnik Berisha ishte përjashtuar nga ky rast. Oda e Avokatëve kishte vendosur të mos lejojë asnjë avokat të caktohet në këtë procedurë sipas detyrës zyrtare.

Related posts