Vrasja e Agonis Tetaj për të cilën akuzohet Shaban Gogaj si dhe Isuf Cacaj për armëmbajtje pa leje është kthyer në rigjykim nga gjykata e shkallës së dytë pasi që gjykata e shkallës së parë e kishte dënuar Gogajn me 7 vite e gjashtë muaj burg.
Familja e viktimës i quan banale arsyet e zvarritjes së procedurës dhe shprehin se ndihen të maltretuar nga ky proces gjyqësor.
Për këtë arsyeje ata kanë njoftuar gjykatën se nuk do të marrin më pjesë në seancat lidhur me gjykimin e kësaj çështje.
Këtë e ka konfirmuar avokati i cili përfaqëson familjen e viktimës, Berat Tmava përmes një parashtrese të cilën e kishte deponuar në gjykatën e Pejës me 1 korrik të këtij viti.
Sipas kësaj shkrese, familja e viktimës e ka humbur shpresën në drejtësi.
“Familja e dëmtuar Tetaj, i ka humbur shpresat tek ju se mund të vendosni drejtë në këtë çështje juridiko – penale, familja e dëmtuar nuk i beson këtij trupi gjykues dhe se nuk jeni të denjë që ta udhëhiqni këtë proces gjyqësor, e edhe për këtë arsyeje nuk do të prezantojmë në këtë proces gjyqësor të udhëhequr nga ana juaj” – thuhet në parashtresën e avokatit në emër të familjarëve.
Trupi gjykues është në përbërje nga kryetarja Violeta Husaj Rugova dhe anëtarët Shaqë Curri dhe Sami Sharragjiu.
Me rastin e tërheqjes nga pjesëmarrja në këtë procedurë, familjes e viktimës ka ngritur dyshime ndaj trupit gjykues edhe për shkeljen e dispozitave të Kodit të Procedurës Penale lidhur me pjesëmarrjen e avokatit Besnik Berisha.
Avokati Besnik Berisha ka qenë i përjashtuar nga e drejta për të mbrojtur të akuzuarin Shaban Gogaj me vendim të datës së 28 qershorit të vitit 2021, gjatë seancës në po këtë date përgjatë së cilës i ishte tërhequr vërejtja vazhdimisht.
Ani pse ishte i përjashtuar, avokati Berisha eventualisht vazhdoi të marrë pjesë në seanca ku mbronte të akuzuarin Gogaj, pasi që Gogaj nuk pranonte asnjë avokat tjetër përveç Berishës, e në anën tjetër edhe Oda e Avokatëve të Kosovës nuk pranonte të caktonte avokat tjetër sipas detyrës zyrtare.
“Ju si kryetare dhe anëtarët e trupit gjykues që në shqyrtimin e parë kur ky rast është kthyer në rigjykim dhe rivendosje, me vetëdije të plotë keni shkelur dispozitat ligjore gjegjësisht nenin 302 par. 3 të KPP-së kur keni lejuar që të marrë pjesë një avokat të cilin vetë e keni përjashtuar prej këtij procesi gjyqësor, duke i potencuar në detaje dhe arsyet se për çfarë e keni përjashtuar.” – thuhet në parashtresën e dërguar nga avokati i familjes së vitkimës.
Si përfundim, familja Tetaj i është drejtuar kryetares së trupit gjykues edhe me një pyetje.
“A thua cila paska qenë arsyeja se pse është zvarritur ky proces gjyqësor më tepër se një vit e gjashtë muaj dhe janë maltretuar të dëmtuarit duke prezantuar në çdo shqyrtim gjyqësor 5 minutësh dhe të njëjtat janë shtyrë me arsyetime banale?”
Çështja tani ndodhet në fazën e rigjykimit, me ç’rast deri tani seanca e parë ka dështuar të mbahet dy herë radhazi.
Fillimisht ka qenë e paraparë që seanca të mbahej me 22 maj por që ka dështuar të mbahet për shkak se i akuzuari Isuf Cacaj nuk kishte angazhuar avokat.
Kurse më së fundmi, kjo seancë dështoi të mbahej të premten e 14 korrikut me rastin e arrestimit të avokatit Besnik Berisha.
Kështu, seanca ndaj Gogaj e Cacaj u shty për datën 28 të këtij muaji.
Sipas aktakuzës se prokurorisë, në vitin 2019, në kompaninë “Gogaj AG”, Shaban Gogaj mori një telefonatë nga një person tjetër, e cila në aktakuzë është cilësuar si dëshmitare, nga e cila bisedë më pas shihet se është acaruar.
Tutje, aktakuza sqaron se i ndjeri Agonis Tetaj ishte larguar menjëherë në drejtim të stoqeve përballë tij për gati 5 metra, ndërsa bashkë me të u larguan edhe dy dëshmitarët e rastit A. H. dhe F. Z.
Sipas dosjes së prokurorisë, me të përfunduar bisedën, Shaban Gogaj, nga karrigia e anës së majtë të banakut kaloi në karrigen tjetër e cila gjendej në mes të banakut dhe nga sirtari nxori revolen e tij të tipit “Beretta”, e vendosi karikatorin dhe e mori në shenjë të ndjerin Agonis Tetaj në kokë, duke e vrarë.
Viktima ishte punëtor në lokalin e të akuzuarit.