970×90
970×90

FADIL VATA- IDEALIST ME QËNDRIM BURRËROR

FADIL VATA- IDEALIST ME QËNDRIM BURRËROR

SHKRUAN: KADRI GËRVALLA

 Fadil Vata, atdhetar e intelektual me vetëdije të lartë kombëtare, u vu në vijën e veprimit aktiv në luftë për liri dhe çlirim të trojeve etnike. Luftëtar i paepur për liri, i sinçertë, i mençur, kurrë nuk u ndal deri në vdekje dhe ka vdekur, për të jetuar gjithmonë.

 

Idealizmi dhe idalistët si Fadil Vata, i kan dhënë frymën e heroizmit dhe të sakrificës epokave të ndryshme në historinë njerëzore e në veçanti historisë sonë kombëtare. Këtij brezi atdhedashës, si shumë djem dhe vajza, pa dyshim i takon edhe dëshmori i lirisë, Fadil Vata, i lindur në fshatin Sallagrazhdë komuna e Therandës.

Më ka marrë malli,e po m´pikon loti

Me i kendu,një patrioti

Shkamb i thell,i qëndresës

Trim i fjales dhe i besës.

Edhe pse kaluan 28-vjet nga vdekja e dëshmorit Fadil Vata, kujtimi për të është shumë i freskët, dhe vitët kalojnë një nga një, ndaj jam shumë krenar që fati dhe ideali i shenjtë më afroi që të luftojmë për një qëllim, në rrugën e njëjtë për çlirimin e atdheut.

Në Bazel të Zvicrrës 28vjetë më parë, pikrisht me 25 prill 1990, ndrroi jetë veprimtari i shquar i çeshtjës kombëtare Fadil Vata. Ai u lind më 1962 në fshatin Sallagrazhdë, komuna e Therandës. Shkollën fillore e kreu në fshat, ndërsa të mesmen në Therandë, ku u edukua dhe ra në kontakt me veprimtarë të tjerë që luftonin për çlirimin e Kosovës dhe ky, iu bashkangjitë radhëve të trimave në këtë rrugë. Në Univerzitetin e Prishtinës regjistron fakultetin në degën Filozofi-Sociologji.

Në kohën kur nisin demonstratat e fuqishme në vitin 1981, Fadilin e gjejmë në sherbimin ushtarak në Pozharevc të Serbisë. Ndërsa me 2-maj të vitit 1981 arrestohet nga sherbimi i sigurimit shtetror dhe pasi kalon disa muaj në hetusi akuzohet për veprimtari nga pozitat e “nacionalizmit dhe irredentizmit” shqiptar, ku denohet me 7 vjet burg të rëndë dhe dërgohet në vuajtje të denimit në burgun famëkeq të Pozharevcit. Në këtë burg kishte edhe shumë shqiptarë të denuar politik. Fadil Vata edhe në burg kishte një respekt të veçantë nga shokët, ishte gjithmonë optimist, trim i vertetë, i afërt me tjerët dhe mendjen e kishte në Kosovë, në atë kohë, pasi kishte ngjarje të stuhishme, pas vitit 1981.

Në burg sigurimi shtetror duke e parë gadishmërinë, moralin e fortë dhe respektin që kishte Fadili nga shokët, e dergojnë 30-ditë në qeli. Pas daljes nga qelia, atë e dergojnë me te burgusurit tjerë ordinerë serbë në një pavijon. Ai kundërshton dhe fillon të bejë grevë urie, mirëpo, atë e kthejnë prap edhe 30-ditë në qeli.

Zjarr e flakë ish jeta jote

Kështu të mësoi  e madhja loke

Këngen vdekja nuk ta ndal

Sallagzazhda të ka yll e t´push në ball.

 

Aty fillon t’i keqsohej gjendja shëndetësore dhe kur del nga qelia shokëve iu tregon se ka dhimbje të forta në shpinë dhe gjoks. Sëmundja bëhej shumë serioze dhe dergohet në vjeshtën e vitit 1985 në spitalin ushtarak të Beogradit, ku i nënshtrohet një operacioni shumë të rëndë.

Pas disa muajsh qendrimi në spital e kthejnë prap në burg. Gezimi i shokëve ishte i papershkruar kur shohin Fadilin, dhe fati kesaj radhe ishte pasi e caktojn në një dhomë me Afrim Zhitinë, Sabit Veselin, Halil Selimin dhe afer në dhomën tjeter, kishte edhe Sami Kurteshin dhe Nezir Myrtën.

Më 30 prill, të vitit 1987 lirohet nga burgu, dhe kurrë nuk u ndal, vazhdoi aty ku e kishte lën aktivitetin.

Fadil Vata dhe Afrim Zhitia, pas daljes nga burgu ishin dhe kan mbetur dy figurat shumë të rëndsishme në kuader të LPRK-së, më vonë LPK.

Kështu, Lëvizja politike ilegale në Kosovë, duke pasur për udhëheqës Sekeretarin politik, Fadil Vatën dhe Sekretarin organizativ, Afrim Zhitinë, përpjekjet shqiptare për liri nisën t´i merrnin konturat e një lëvizjeje ma ndryshe në aspektin organizativ dhe strukturor.

Viti 1989, ishte vit i ngjarjeve të mëdha dhe Lëvizja për çlirimin e atdheut kishte formën organizative shumë aktuale. Vdekja e Afrim Zhitisë e lëndoi shumë shokun e idealit Fadilin, por lufta duhej vazhduar dhe ky me shumë shokë të tjerë vazhduan amanetin e Afrimit. Gjendja shëndesore e Fadilit behej më e rëndë dhe shumë serioze, kështu shokët e dergojnë në spitalin e Bazelit në Zvicerr. Familja dhe shokët e Lëvizjes i qendruan pranë deri në minutat e fundit, por vdekja na e mori nga duart tona shokun, trimin dhe njerin nga organizatoret kryesor të Lprk-së, vllaun tonë FADIL VATËN, më 25 prill të vitin 1990.

Populli i Kosovës e priti birin e vet me nderime më të larta dhe me mijëra vetë ishin në varrimin e deshmorit Fadil Vata, ku nderuan jetën dhe vepren e tij.

Pra nga torturat e rënga në burg, ku më vonë ishin fatale vdiq, siç vdiqën edhe Fazli Graiqevci, Shaban Shala, Rexhep Elmazi, Zija Shemsiu e shumë atdhetarë të tjerë, ku mbeten edhe frymëzim per gjeneratatë e reja për ta vazhduar dhe formuar edhe Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës.

…O ku je o FADIL VATA

Pushkën,na e le amanet

Sa herë kryt,e qon armiku

Ti i gjallë na vjen apet…

 

Familja Vata ishte një familje patriotike, ndërsa shtëpia e kësaj familje ishte dhe mbeti një nga bazat më të rëndsishme të veprimtarisë kombëtare.

Posa të futësh në fshatin Sallagrazhdë, në anën e djathët jan varrezat e fshatit. Aty pushon edhe trupi i dëshmorit Fadil Vata, ndërsa shumë lisat e mdhenjë aty afër i bëjnë roje trimit, dhe nuk mund të kalosh rrugën pa shkuar pranë varrit për t’u përshendetur dhe për t’i thënë Lavdi …

Sa herë që kam vizituar Familjen Vata, gjithmonë kam marrë forcë ma shumë, kam marrë guxim ma teper për të vepruar dhe kam afruar më shum shokë per ta vazhduar luftën që e kishim nisur për çlirimin e atdheut.

Dyert e oborrit të familjes Vata gjithmonë kan qenë hapur, aty shokët e Fadilit kan hyrë dhe dal si nga shtepija e tyre, ndërsa mikpritja, bujaria e prinderve Nebih dhe Tahire Vata ka qenë shumë e ngrohtë.

Sa herë që kam shkuar, Lokmadhja Nëna Tahire, tash e ndjerë pasi që ka vdekë në vitin 2007, na ka perqafuar, dhe jemi hyrë në odë, dhe kurrë nuk kemi mundur të dalim nga ajo shtepi pa ngranë buk dhe pa pirë ujë, ka qenë rregull dhe vendim kategorik i Nënes Tahire. Ajo këtë e spjegon se edhe e ka amanet nga Fadil Vata, ku para se te vdiste i kishte thën nënës: ”Sa herë të vijnë shokët e mij, ta dish se kam ardhun edhe unë me ta”.

 

Pas vdekjes së Fadilit me iniciativën e shokëve të LPK-se nga Zvicrra dhe LPK-së nga Austria, u morr vendim per themelimin e Shoqatës Patriotike “FADIL VATA “ me seli në qytetin Melk të Austrisë. Iniciator ishin: Fazli Veliu, Sejdi Gega, Murat Bytyqi, Kadri Gervalla, Agim Selimi, Xhevat Xhemaliu, Fatmir Zhitia etj.

Kjo shoqatë ka funksionur qe nga viti 1992-deri në vitin 2002, ishte një nga shoqatat më aktive në Austri. Po ceki nje segment nga aktiviteti i kesaj shoqate gjat luftes në Kosovë në vitin 1998/99.

”Shoqata “FADIL VATA” është njëra ndër shoqatat që ka një aktivitet të ngjeshur në Austri, ndërsa këto ditë jemi duke i bër përgatitjet që së shpejti t´i dërgojmë edhe vullnetarët nga diaspora dhe do të jemi në flakë të luftës me ju. Seksioni humanitar nënë aksionin “Ndihmë pë të ardhurit nga Kosova”, dergoi mbi 25 tonelata ndihma humanitare në Tropojë të Shqipërisë, që kapin vlerën mbi një milion shilinga austriak.

Kjo shoqatë ka arritur të hapë shkollën shqipe në Austrinë e Ultë, ka gazetën, e cila është organ i shoqatës, pra gazetën”ALBA”, ka seksionin e kulturës, pastaj e para në Austri ka formuar fondin “VENDLINDJA THËRRET”: shoqata ka më shumë se 200 anëtarë dhe ka pritur musafirë, të cilët i ka anëtarë nderi, si: Adem Demaçin, Fehmi dhe Xhevë Lladrovcin, Lum Haxhiun etj.

Shoqata patriotike “FADIL VATA” i ka dërguar edhe vullnetarët në radhët e UÇK-së dhe ka drejtuar sektorin për informim dhe propagandim të fondit “Vendlindja Thërrët” dhe fondit”LIRIA KOMBËTARE” në AUSTRI, gjatë luftës në Kosovë dhe Maqedoni” .

 

Pra Idealizmi dhe idealistët si Fadil Vata i kanë dhën frymën e heroizmit dhe të sakrificës epokave të ndryshme në historinë njerzore e në veçanti historisë sonë kombëtare. Jemi shumë të sigurtë se po të mos kishte trima, si Fadil Vata, Kosova nuk do të arrinte ta kishte lirinë që kemi sot. Po të mos kishte trima si Fadil Vata, liria do të vonohej.

…O ku je o burr i dheut

Je i gjall e nuk vdes kurr

Sa herë korbat vin n´male

Bëhesh shqipe në flamur.

Vepra dhe ideali i tijë do të jetë i përjetshëm.

Lavdi jetës dhe veprës së dëshmorit Fadil Vatës.

 

Related posts