
Ajo u rikthye në Shqipëri për të mbështetur ish-kryeministrin e vendit, Sali Berisha, në kauzën e tij kundrejt vendimit të Departamentit të Shtetit për ta përcaktuar si non grata dhe në luftën përballë pasardhësit të tij në Partinë Demokratike, Lulzim Basha, por tashmë po i kthehet jetës së saj të mëparshme.
Evi Kokalari – pavarësisht se thotë se me mendje dhe zemër do të jetë aty ku vazhdon lufta për një opozitë të fortë, do t’i kthehet jetës së saj në Amerikë.
Arsyeja sipas saj, është fakti që e ka lënë pas dore atë!
“Do vazhdoj të jem në komunikim të vazhdueshëm me anëtarët e Komisionit të Rithemelimit, gjithsesi jo më aq aktive sa më parë”, shkruan Kokalari në Facebook.
Sakaq, ajo shton se në Tiranë, ka krijuar miqësi dhe ka gjetur mbështetje gjatë foltoreve. Këto, i kanë dhënë kuptim sakrificës së katër muajve të fundit sipas saj.
Ndërsa një mesazh, e ka edhe për diasporën shqiptare.
“Dua t’ju them që populli ynë është i varfër, kështu që angazhohuni seriozisht se kanë vërtet nevojë për ndihmë. Lërini mërite dhe urrejtjen e së kaluarës dhe mbështesni ata që po luftojnë për ditë për të shpëtuar pluralizmin”.
Ndërsa, në mbyllje, ajo shton se do të komunikojë opinionet e saj nëpërmjet medias sociale.