
Raportuesi për Kosovën në Parlamentin Evropian, Igor Sholtes, ka pranuar se disa shtete anëtare të Bashkimit Evropian kanë mëdyshje sa i përket heqjes së vizave për Kosovën, por, sipas tij, çështja e vizave nuk ka nevojë të kalojë në Këshillin e Ministrave të BE-së me shumicë absolute të votave.
Këto komente Sholtes i ka bërë gjatë një interviste për gazetën “Zëri”, duke shtuar se i ka sugjeruar ministres kosovare për Integrime Evropiane, Dhurata Hoxha, t’i takojë ministrat e shteteve që hezitojnë të votojnë në favor të regjimit pa viza, për t’i bindur ata se kosovarët e meritojnë të udhëtojnë lirshëm në BE.
“Kam këshilluar gjithashtu ministrat nga Kosova të punojnë ngushtë me ambasadat e me ministritë e atyre vendeve dhe të mundohen të ndikojnë në vendimin përfundimtar të përfaqësuesve të shteteve anëtar”, thotë mes tjerash eurodeputeti Sholtes.
Politikani slloven thotë se zvarritja trevjeçare e miratimit të Demarkacionit me Malin e Zi në Kuvendin e Kosovës e ka zgjatur procesin e liberalizimit të vizave për vendin, ndonëse shpreson që liberalizimi i vizave të ndodhë deri në fund të këtij mandati të Parlamentit Evropian.
Zgjedhjet për Parlamentin Evropian do të mbahen në maj të vitit 2019.
“Nëse për asgjë tjetër, ky do të ishte një vendim i drejtë për t’u bërë”, ka potencuar Sholtes.
Gjatë kësaj interviste ai ka folur edhe rreth idesë së presidentit Hashim Thaçi për shkëmbim të territoreve me Serbinë, duke thënë se një gjë e tillë nuk mund të jetë objektiv i regjionit të Ballkanit Perëndimor.