Vëzhguesi i Vetëvendosjes në QNR, Alban Krasniqi, ka hedhur akuza të rënda në drejtim të Nismës, duke thënë se vëzhguesit e kësaj partie, po ngacmojnë seksualisht vëzhgueset e Vetëvendosjes.
Ky është shkrimi i Krasniqit në Facebook:
Natyrisht që merr guxim Lista Nisma që tani të tentojnë të ndryshojnë edhe rezultatin në kuti të votimit, sepse tashmë u pa që në lojë përveç Vuçiqit me Listën serbe është futur edhe Thaçi me PZAP dhe me kapot udhëheqëse të supremes.
Tani kanë sjellë në QNR llumin e tyre gjoja si vëzhgues me qëllim krijimin e tensioneve e pse jo edhe dëmtimin e kutive.
Në vazhdimësi bëjnë presion mbi stafin, krijojnë insinuata, ngacmojnë seksualisht vëzhguese, kërkojnë pavlefshmëri votash.
KQZ duhet tu tregoj vendin këtyre matrapazëve sepse aty është QNR dhe jo Han i Fatmir Limajt.
Ndërkohë, Nisma Socialdemokrate ka vazhduar me pretendimet ndaj Vetëvendosjes për presion gjatë numërimit të votave.
Pas nisjes së rinumërimit të 1472 kutive të votimit, kjo parti ka lëshuar një komunikatë për media nga ku kanë thënë se kanë vërejtur një numër të madh të parregullsive.
Vëzhguesit e kësaj partie, siç thotë Nisma janë duke u ballafaquar me presione nga anëtarët e VV-së në KQZ.