![Escobari dhe Lajçaki takojnë krerët e opozitës](https://gazetaprojekti.com/wp-content/uploads/2023/06/26E2C70D-09FC-43B4-A5B5-089F05054286.jpeg)
Ka përfunduar takimi i presidentes së vendit, Vjosa Osmani me emisarin amerikan, Gabriel Escobar dhe atë evropian, Miroslav Lajçak.
Pas takimit me të parën e shtetit, dy emisarët janë nisur drejt zyres së BE-së për t’u takuar me liderët e partive opozitare.
Dy diplomatët po shoqërohen në këto takimi edhe nga ambasadori i ShBA-së në Kosovë, Jeffrey Hovenier.
Escobar dhe Lajçak mbrëmë takuan në Qeveri edhe Kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti të cilit ia paraqitën tri kërkesa, por që për zgjedhjet, emisari sllovak tha se nuk u pajtuan.
“Ne prezantuam propozimin në kuadër të komunitetit ndërkombëtar që përmban tri pika. I pari de-eskalimi, i dyti zgjedhjet e reja të shpejta dhe i treti kthimi te dialogu. Patëm një diskutim të gjatë, të sinqertë dhe të vështirë me kryeministrin për këto pika. Nëse do të kishim arritur një dakordim [për zgjedhjet], do e thoja”, tha Lajçak para gazetarëve.
Në anën tjetër, i dërguarin i Posaçëm të Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar po shpreson se Kosova do t’i dëgjojë kërkesat e tyre.
Ai tha se SHBA e respekton autoritetin e Qeverisë së Kosovës dhe Kushtetutën e saj mirëpo siç tha ai është diçka tjetër bindja ndaj ligjit.
“S’kam parë ndonjëherë kaq shumë unitet në komunitetin trans-atlantik. SHBA, Bashkimi Evropian, NATO, dhe thuajse çdo mik i Kosovës ka bërë të njëjtën kërkesë. Kështu shpresoj që do të dëgjohemi. Një gjë dua të them, erdha këtu si përkrahës i madh i Kosovës. Duam më të mirën për Kosovën, të arrijë të gjitha aspiratat. Jemi përkrahësit më të mëdhenj të sigurisë suaj, pavarësisë, sovranitetit, e integritetit territorial tuaj. Po kërkoj vetëm të dëgjohemi”, tha Escobar.