Zëvendës-ndihmësi i Sekretarit të Shtetit, Gabriel Escobar, ka bërë me dije se SHBA-ja mirëpret angazhimin pozitiv të Serbisë me NATO-n.
Ai ka thënë se edhe Kosova ka raporte të shkëlqyera me NATO-në.
Diplomati i SHBA-së ka vlerësuar se Kosova ka raporte të shkëlqyera edhe me SHBA-të në aspektin e sigurisë.
“SHBA-ja mirëpret angazhimin pozitiv të Serbisë me NATO-n. Në të njëjtën kohë në theksojmë se Kosova ka marrëdhënie të shkëlqyera me NATO-n nëpërmjet KFOR-it dhe NALT dhe ka marrëdhënie të shkëlqyera të sigurisë me shumë aleatë të NATO-s, përfshirë SHBA-në“, ka thënë Escobar në një deklaratë për gazetën online Reporteri.net.
Duke folur rreth kërcënimeve të Aleksander Vuçiqit për Kosovën, diplomati amerikan ka thënë se SHBA-ja beson se shtetet aleate janë të lira të zgjedhin aleancat e sigurisë.
“SHBA-ja beson se të gjitha shtetet janë të lira për të përcaktuar vetë politikën e jashtme dhe të zgjedhin aleancat e veta të sigurisë. Asnjë shtet nuk duhet të pretendojë veto ndaj orientimeve strategjike të fqinjëve të vet“, ka deklaruar Escobar.