970×90
970×90

Escobar dhe Lajçak takim me zëvendëssekretarin e NATO-së

Escobar dhe Lajçak takim me zëvendëssekretarin e NATO-së

Një takim i rëndësishëm është zhvilluar të hënën me 9 janar në mes të zëvendëssekretarit të Përgjithshëm të NATO-s, Gjeneral Mircea Geoana me emisarin amerikan për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar dhe të dërguarin special të Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak.

Në këtë takim temë diskutimi ka qenë Kosova. Por çfarë është biseduar për Kosovën?

Takimi i Lajçakut dhe Escobar me zëvendës-sekretarin e NATO-së Gjeneral Mircea Geoana për fokus kryesor ka pasur veriun dhe situatën në Kosovë.

Sipas shkrimeve të tyre në rrjetet sociale, veriu i Kosovës ishte tema kryesore në këtë takim.

Zëvendëssekretarit i Përgjithshëm të NATO-s, Gjeneral Mircea Geoana në Twitter ka theksuar se “bashkëpunimi NATO-BE është kyç për sigurinë dhe stabilitetin në Kosovë dhe Ballkanin Perëndimor” dhe se roli i KFOR-it mbetet “thelbësor”.

Më tej, NATO ka lëshuar edhe një komunikatë për këtë takim trepalësh, ku thuhet se është folur për situatën e përgjithshme në Kosovë dhe në Ballkanin Perëndimor.

Po aty thuhet se KFOR ka hequr barrikadat në veri të vendit.

Takimi i tyre qe pjesë e konsultimeve të rregullta për situatën në Kosovë dhe zhvillimet në rajonin e Ballkanit Perëndimor. Zëvendëssekretari i përgjithshëm, Geoana, i vuri në dukje përpjekjet e forta që janë kryer nga aleatët e NATO-s dhe Bashkimi Evropian për uljen e tensioneve të fundit, sidomos në Kosovën veriore. Ai, gjithashtu, e nënvizoi përkrahjen kyçe të ofruar nga misioni i udhëhequr nga NATO-ja, KFOR, dhe nga misioni për sundimin e ligjit (EULEX) , i udhëhequr nga BE-ja, për largimin e suksesshëm të bllokadave në rrugë, të cilat kanë ndihmuar që ta kthejnë plotësisht lirinë e lëvizjes në mbarë Kosovën.”, thuhet në komunikatë.

Në njoftim thuhet se KFOR-i mbetet jashtëzakonisht vigjilent dhe se i ka kapacitetet dhe personelin për ta vazhduar zbatimin e mandatit të vet sipas OKB-së në mënyrë të plotë dhe çdo ditë, për të mirën e të gjitha komuniteteve që jetojnë në Kosovë.

Aty thuhet edhe se NATO-ja vazhdon që ta përkrahë dialogun e ndërmjetësuar nga BE-ja mes Beogradit dhe Prishtinës, duke e cilësuar atë si platformë kryesore për ndërtimin e paqes së qëndrueshme dhe sigurisë në mbarë rajonin.

Gjatë vizitës së tyre në selinë e NATO-s, raportohet se Escobari dhe Lajçaku i kanë njoftuar ambasadorët e vendeve të NATO-s edhe për përpjekjet e tyre të përbashkëta diplomatike dhe angazhimin me të gjitha palët në rajon.

Ndërkaq, Emisari i BE-së, Miroslav Lajçak, ka bërë të ditur se në takim është folur për zhvillimet e fundit në Kosovë dhe dialogun në mes Kosovës dhe Serbisë.

Pata një takim të dobishëm dhe në kohë me DSG-në e NATO-s Mircea Geoana dhe DAS Escobar sot. Diskutuam zhvillimet e fundit në Dialog, duke përfshirë veriun e Kosovës, bashkëpunimin BE-SHBA-NATO dhe rrugën përpara. Mirënjohës për mundësinë për të adresuar gjithashtu bashkërisht NATO Ambasadorët“, ka shkruar ai në Twitter.

Në anë tjetër, Ambasadorja e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në NATO, Julianne Smith, ka njoftuar se është takuar me emisarin e ShBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar më të cilin po ashtu ka biseduar për dialogun Kosovë-Serbi.

ShBA-ja e mbështet plotësisht dialogun e ndërmjetësuar nga BE-ja mes Kosovës dhe Serbisë dhe është e përkushtuar për paqen, stabilitetin dhe prosperitetin në rajon”, ka shkruar Smith në Twitter.

Duhet kujtuar se KFOR-i ka refuzuar kërkesën e Serbisë për kthimin e ushtarëve në Kosovë.

Gjithashtu, tre këshilltarët e disa prej liderëve më të fuqishëm në botë, zbarkojnë brenda pak ditësh në Kosovë.

Derek Chollet i Joe Bidenit, Jens Plotner i Olaf Scholz dhe Emmanuel Bonne i Emmanuele Macron, janë tre këshilltarët që do t’i shohim në Kosovë e Serbi këto ditë.

Të njëjtit, do t’i shkojnë në zyrë kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe plani franko-gjerman si dhe marrëveshja me Serbinë pritet të jetë pikat kryesore e këtyre takimeve.

Këto lëvizje dhe takimet mes ndërkombëtarëve mund të nënkuptojnë që gjatë këtij viti të kemi shpeshtim të takimeve mes palës kosovare dhe asaj serbe për të arritur një marrëveshje.

Related posts