
Përfaqësuesi special i Bashkimit Evropian për dialogun Prishtinë-Beograd dhe çështje të tjera rajonale të Ballkanit Perëndimor, Miroslav Lajçak, në një konferencë të përbashkët me përfaqësuesin special për Ballkanin Perëndimor dhe zëvendës-ndihmës sekretarin Gabriel Escobar kanë folur për takimet që kanë zhvilluar gjatë vizitës dy ditore në Kosovë.
Lajçak dhe Eskobar kanë theksuar se gjatë këtij viti presin dinamikë më të madhe në procesin e dialogut Kosovë-Serbi, shkruan Reporteri.net.
Që të dy zyrtarët e lartë kanë përsëritur se shpresojnë në arritjen e një marrëveshje që do të funksiononte për Kosovën dhe Serbinë.
Referuar çështjes së Asociacionit, Esocobar dhe Lajçak kanë ritheksuar se marrëveshjet e arritura në Bruksel duhet të zbatohen.
Përfaqësuesi special i SHBA-ve për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar ka thënë se sa i përket çështjes së Asociacionit nuk duhet të ekzistojnë modele që rrezikojnë sovranitetin e Kosovës.
“Nuk jemi pjesë e dialogut e as negociatave, por marrëveshjet paraprake duhet zbatuar. Nuk kemi ardhur me propozime të shkruara as nuk duam të imponojmë diçka, por dy vendet duhet të kenë vizione të qarta. Do të punojmë brenda kornizës së procesit të dialogut. Qëndrimi ynë sa i përket krijimit të Asociacionit; nuk duhet të ekzistojnë modele që rrezikojnë sovranitetin e Kosovës. Nuk është qëndrim i SHBA-së për të imponuar diçka për të dy palët, por ne mund të ndihmojmë”, u shpreh Escobar.
Ndërkaq Përfaqësuesi special i Bashkimit Evropian për dialogun Prishtinë-Beograd dhe çështje të tjera rajonale të Ballkanit Perëndimor, Miroslav Lajçak ka potencuar se çështja e Asociacionit ishte pjesë e diskutimeve me krerët e shtetit në Kosovë.
Ai ka thënë se në këto takime ka përsëritur qëndrimin e BE-së se marrëveshjet e nënshkruara duhet të zbatohen.
“Vazhdimisht është çështje e pranishme në diskutimet tona. Kosova është palë e plotë në dialog, është 50 përqind e dialogut dhe duhet të ketë një dakordim nga pala e Kosovës. Sa i përket krahasimit me republikën serbe, kam thënë se askush nuk dëshiron republikë serbe, por ato marrëveshje që janë arritur duhet të zbatohen. Këtë e kam thënë edhe në takime. Nuk ka asnjë arsye që ju të jeni të frikësuar sepse ne jemi këtu që të sigurojmë që çdo marrëveshje që arrihet të jetë në përputhje me standardet evropiane”, u shpreh Lajçak.