Sonte (e shtunë) mbahet nata finale e “Eurovision 2018”, në “Altice Arena” të Lisbonës, në Portgali.
Njëzetegjashtë shtete të ndryshme garojnë këtë vit me përfaqsuesë të shumtë, teksa tre prej tyre janë shqiptarë.
Italia sonte përfaqësohet nga këngëtari i njohur shqiptar, Ermal Meta, së bashku me këngëtarin italian Fabrizio Moro.
“Non mi avete fatto niente” titullohet kënga e tyre, e cila në shqip përkthehet “Ti nuk më ke bërë asgjë”.
Ermal Meta në një prononcim të shkurtër për Telegrafin, drejtpërsëdrejti nga Lisbona ka rrëfyer emocionet e natës finale, duke thënë se ndjehet i lumtur që ka rastin të ngjitet në një skenë të madhe si ajo e “Eurovisionit.
“Ndihem mirë dhe mezi po pres që të shkoj në skenë. Ndihem i nderuar që e përfaqësoj Italinë në këtë Eurovision që është plot me këngë të mrekullueshme”, tha Ermal Meta për Telegrafin.
Në vazhdimin e bisedës, ai tregoi se tematika e këngës së tyre është shumë sociale, ndaj shpreson që publiku të reflektojë nga mesazhi që përçon ajo.
“Kënga jonë ashtu siç e thotë edhe veti titulli “Ti nuk më ke bërë asgjë”, iu drejtohet terroristëve, duke u thënë atyre, se ata nuk mund të na bëjnë asgjë, jemi më të fuqishëm se asnjëherë”, ka thënë tutje këngëtari Meta.
Ermali, i cili nuk është shqiptari i vetëm në këtë “Eurovision”, i pyetur nga Telegrafi se cili është mesazhi i tij për bashkë-atdhetarët, ai tha se u dërgon një përshëndetje të ngrohtë të gjithë atyre që e mbështesin.
“Dërgoj një përqafim të madh për të gjithë vëllezërit dhe motrat shqiptarë, dhe shpresoj se ata janë shumë krenarë për atë që janë: të talentuar, të lumtur dhe plot me vlera të mira”, ka përfunduar Ermal Meta për Telegrafin.
Ermali dhe Frabirizio performojnë sonte të njëzetegjashtët me radhë në natën finale.
Përveç Ermalit, në “Eurovision” këtë edicion kemi Eugent Bushpepën që përfaqëson Shqipërinë me këngën “Mall”, dhe Eleni Foureiran përfaqëson Qipron me “Fuego”. /Telegrafi/