Ehat Miftaraj nga Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD), ka thënë se në bazë të gjetjeve të institutit, Nisma Socialdemokrate, ka njoftuar se nga 110 kandidatë sa ka prezantuar gjithsej, dy prej tyre kanë vepra penale në tri vitet e fundit.
Miftaraj njoftimin e ka bërë me anë të ‘Facebook’-ut, teksa ka treguar edhe llojin e veprave penale të kryera për kandidatët respektiv.
“Gjetjet e hulumtimit të IKD-së tregojnë se në listën zgjedhore të Nismës Socialdemokrate, nga 110 kandidatë për deputetë, rezulton se dy (2) prej tyre janë të dënuar aktgjykim të formës së prerë në tri (3) vitet e fundit, njëri për veprën penale “Përdorim i armës” i dënuar me 2400 euro gjobe dhe tjetri me gjashtë (6) muaj burgim me kusht dhe 600 euro gjobë për “Mos raportimi ose raportimi i rremë i pasurisë, i të ardhurave, i dhuratave, i dobisë tjetër materiale ose i detyrimeve financiare””, ka deklaruar Miftaraj.
Ish-ministri i Tregtisë dhe Industrisë, Endrit Shala, është dënuar me 2400 euro gjobë në mars të 2019-ës, si pasojë e përdorimit të armës në mënyrë të paligjshme.
“Po ashtu, njëri prej kandidatëve të dënuar në listën e Nismës Socialdemokrate ka një aktakuzë aktive për veprën penale “Lëndimi i lehtë trupor”, i cili rast me pajtimin e palëve ka shkuar në ndërmjetësim”, shkruan ndër të tjera Miftaraj.
Tutje, sipas raportit të IKD’së, thuhet se NISMA nuk ka propozuarasnjë kandidat të akuzuar për vepra penale korruptive.
IKD mbrëmë vlerësoi se nga 110 kandidatë për deputetë sa ishin nga ana e listës së përbashkët të Lëvizjes Vetëvendosje dhe iniciativës qytetare të Vjosa Osmanit, 11 prej tyre kishin dënime të formës së prerë nga gjykatat në tri vitet e fundit.