Dy javë pas vdekjes së Art Kurtit, ende nuk dihet se e kujt ka qenë në pronësi arma me të cilën dyshohet se u vetëvra ish-aktori 23 vjeçar nga Gjakova. Hetimi për vdekjen e tij po vazhdon
Prokuroria Themelore në Gjakovë ende nuk e ka dhënë versionin zyrtar rreth vdekjes së Art Kurtit, ish-aktorit që u bë i njohur për rolin e Ylberit në serialin “O Sa Mirë”.
Por, dyshimet për vetëvrasje, sikurse të policisë qysh në ditën kur u gjet i vdekur ish-këshilltari për rini i kryetarit të Gjakovës, po pritet t’i mbështesë përfundimisht edhe Prokuroria.
Por, dy javë pas kësaj ngjarjeje, autoritetet e sigurisë ende nuk kanë arritur të zbulojnë se e kujt ka qenë arma me të cilën 23-vjeçari dyshohet se qëlloi veten, brenda veturës së një miku të tij, në fshatin Goden të Gjakovës.
Këtë e ka konfirmuar për Gazetën Express kryeprokurori i Gjakovës, Ali Selimaj.
“Jo nuk e dimë ende”, tha ai të hënën.
Ai tregoi edhe se kur Prokuroria Themelore e Gjakovës do të mund të dalë me një version zyrtarë.
“Nuk mundemi me dhanë versione zyrtare pa na ardhë të gjitha raportet e autopsisë, dhe me u kombinu me ato të balistikës. Kur të vërtetojmë që qaj plumb që është gjetë në qatë gëzhojë, përputhet me qatë armë dhe me plagën, vrimat hyrëse dhe dalëse, atëherë e kemi shumë të qartë se për çka bëhet fjalë”, shtoi Selimaj në një bisedë për Gazetën Express.
Tutje, kryeprokurori nga Gjakova tregoi se janë në pritje edhe të ekzaminimeve të telefonit të viktimës, të cilin e kishte me vete kur u gjet trupi i tij i pajetë.
Gazeta Express ka raportuar pak ditë pas vdekjes së ish-këshilltarit të Adrian Gjinit se një raport preliminar i mjekësisë ligjore ka treguar se plumbi Art Kurtin e ka goditur në pjesën e djathtë të kokës për ta shpuar anë për tej. Në po këtë anë të trupit të pajetë, është gjetur edhe revolja me të cilën dyshohet se kreu vetëvrasjen ish-aktori i ri, e cila vazhdon të mos dihet se e kujt ka qenë.
Po ashtu, hetuesit policorë në Gjakovë, siç kishte mësuar Gazeta Express, kanë pranuar edhe informacione se viktima së fundi kishte shfaqur shenja depresive. Art Kurti, sipas këtyre informacioneve, ishte po ashtu i zhytur në borxhe tek disa persona të ndryshëm, kryesisht miq të tij, si shkas i shprehive të tij në lojëra të fatit dhe narkomani.
Megjithatë, raporti i obduksionit ka rezultuar se në momentin kur vdiq ish-aktori nuk ka qenë në ndikim të ndonjë droge.
Art Kurti u gjet i vdekur mëngjesin e 24 prillit 2018, në vendin e njohur si “Maja e Zabelit”, në fshatin Goden të Gjakovës.
Kontakti i familjes dhe të afërmeve tjerë të tij me ish-aktorin ishte humbur një ditë më parë, pasi Kurti i kishte huazuar veturën, brenda së cilës u gjet i vdekur, një shoku të vëllait. /GazetaExpress/.