970×90
970×90

Emri i Blerim Isufajt në Presidencë, Osmani nis konsultime para vendimit për dekretim

Emri i Blerim Isufajt në Presidencë, Osmani nis konsultime para vendimit për dekretim

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani nuk e ka dekretuar ende emrin e Blerim Isufajt për Kryeprokuror të Shtetit, ndonëse ka pranuar emrin e tij nga Këshilli Prokurorial i Kosovës.

Kjo pasi presidentja ka vendosur që para se ta marrë vendimin për dekretim ose jo, të konsultohet me monitoruesit e konkursit dhe të shqyrtojë dhe të analizojë në detaje të gjithë dokumentacionin e pranuar.

Këtë e ka konfirmuar për Express, këshilltari për media i Osmanit, Bekim Kupina.

” Lidhur me propozimin për emërimin e Kryeprokurorit të Shtetit, ju njoftojmë që Zyra e Presidentes të premten, me 8 prill, ka pranuar propozimin nga Këshilli Prokurorial i Kosovës. Duke ditur rëndësinë e këtij procesi, Zyra e Presidentes ka filluar të shqyrtojë dhe analizojë në detaje të gjithë dokumentacionin e pranuar, të gjitha faktet dhe rrethanat që ndërlidhen me këtë proces. Presidentja është në komunikim me palët e interesit dhe në ditët ne vijim do të takohet me përfaqësuesit e organizatave që kanë monitoruar procesin e përzgjedhjes se Kryeprokurorit për të dëgjuar vërejtjet e tyre mbi mbarëvajtjen e këtij procesi.

Ai tha se presidentja vlerëson se procesi i zgjedhjes së Kryeprokurorit duhet të jetë krdibil dhe me integritet.

“Presidentja nënvizon se procesi i përzgjedhjes së Kryeprokurorit duhet të jetë kredibil dhe me integritet të plotë për të siguruar që besimi i qytetarëve ndaj Prokurorisë se Shtetit nuk dëmtohet. Po ashtu, Presidentja ka theksuar se kandidati i propozuar duhet të plotësoj gjitha kërkesat ligjore, duke përfshirë edhe atë të integritetit. Për veprimet e mëtutjeshme, mediat dhe opinioni publik do të njoftohet me kohë”, ka thënë ai për Express.

Çështja e zgjedhjes së Kryeprokurorit të Shtetit ka ngjallur reagime të shumta në vend por edhe tek ndërkombëtarët.

Ndonëse KPK-ja vlerësoi se i tërë procesi për emërimin e  Kryeprokurorit të ri të Shtetit, ka qenë objektiv, transparent, gjithëpërfshirës dhe i bazuar plotësisht në meritokraci, një gjë të tillë nuk po e thonë shoqëria civile dhe ndërkombëtarët.

Rrjedhimisht ata i kanë bërë thirrje Osmanit që të mos e dekretojë Isufajn për pozitën e Kryeprokurorit.

IKD, GLPS dhe Lëvizja FOL kanë reaguar pasi anëtarët e KPK-së e votuan unanimisht Blerim Isufajn për Kryeprokuror.

“Ky propozim për emërim të Blerim Isufajt si Kryeprokuror i Shtetit bëhet nga Këshilli Prokurorial megjithëse organizatat kyçe të vendit që merren me monitorimin e sistemit të drejtësisë, kishin tërhequr vërejtjen se procesi i përzgjedhjes së Kryeprokurorit të ri të Shtetit kishte një varg mangësish të cilat cenonin integritetin e procesit”, thuhej në komunikatë.

Edhe Bashkimi Europian dhe specifikisht Gjermania e Shtetet e Bashkuara të Amerikës e konsiderojnë befasuese, zhgënjyese dhe shqetësuese mënyrën se si Këshilli Prokurorial e ka zgjedhur Blerim Isufajn për Kryeprokuror të Shtetit.

Shefi i Zyrës së Bashkimit Europian në Kosovë, Tomas Szunyog reagoi i befasuar pas mbledhjes së KPK-së të mërkurën.

“Pavarësisht thirrjeve të vazhdueshme për të siguruar një përzgjedhje fer, transparente dhe të bazuar në merita, të kryeprokurorit të Shtetit, Këshilli Prokurorial i Kosovës e përmbylli procesin duke mos i respektuar këto parime. I befasuar dhe i zhgënjyer me veprimet e KPK-së”, tha Szunyog përmes një reagimi në Tëitter.

Ambasadori gjerman në Prishtinë, Jorn Rohde, shprehu po ashtu zhgënjimin e tij për vendimin e KPK-së për ta zgjedhur Blerim Isufajn Kryeprokuror.

“Kjo është me të vërtetë zhgënjyese dhe jo rruga e duhur për të ecur përpara. Sidomos kur OJQ-të e njohura të Kosovës, si Instituti i Kosovës për Drejtësi dhe GLPS, kanë shprehur shqetësime të ngjashme”, shkroi Rohde.

Ndërsa, ambasadori i SHBA-së në Kosovë, Jeffrey Hovenier, tha sot se pritjet e SHBA-së në këtë proces kanë qenë që ai të jetë “i drejtë, objektiv, transparent dhe i bazuar në merita”.

“Fakti që anëtarët e KPK-së nuk i kanë marrë parasysh ankesat legjitime dhe rekomandimet e Panelit Shqyrtues nuk përmbushin këtë standard. SHBA-ja nuk ka pasur një kandidat të preferuar dhe as nuk kemi paragjykuar kualifikimet individuale të kandidatëve”, tha Hovenier përmes një postimi në Tëitter.

Ambasadori Hovenier tha se prezenca e përfaqësuesve të ambasadës gjatë seancës së 6 prillit, ku KPK-ja në mënyrë unanime nominoi Blerim Isufajn për postin e kryeprokurorit të Shtetit, nuk duhet të shihet si mbështetje e SHBA-së për këtë proces.

“Ne jemi të shqetësuar me mënyrën KPK-ja ka kryer këto procedura dhe ka dëmtuar besimin e publikut të Kosovës dhe besimin tonë ndaj KPK-së si institucion publik”, tha Hovenier./Gazeta Express.

Related posts