
Vëmendjen pas protestës për vrasjen 25- vjeçarit Klodian Rasha nga një efektiv Policie, e mori debati virtual mes reperit të njohur Arkimed Lushaj (Stresit) dhe moderatores Einxhel Shkira.
Për ata që nuk e dinë, e gjitha filloi kur reperi bëri një “Instastory”, ku shigjetonte moderatoren, pasi kjo e fundit shprehej me anë të një statusi se pse nuk kishte dalë në protestë.

Einxhel shkruante se nuk iu bashkua protestuesve në respekt të dhimbjes së familjes së 25- vjeçarit, duke dënuar dhunën dhe shkatërrimet e kryera nga protestuesit në kryeqytet. Ndër të tjera, ajo shprehej se nuk del në protestë për të shkatërruar qytetin e saj, por protestën e bën çdo ditë të jetës.

I menjëhershëm ishte reagimi i Stresit pas këtij statusi, i cili ka qenë i përfshirë në këto protesta me mish e shpirt. Në një postim në “InstaStory”, ai u shpreh se e njihte shumë mirë Einxhel Shkirën, duke kaluar në ofendime të rënda.
Einxhel Shkira iu përgjigj po ashtu, teksa publikoi momente gjatë një interviste që po i bënte reperit vite më parë, kur moderonte në “INTV”.