
Gazeta Nacionale përmes burimeve të saj ka marrë disa të dhëna mjaft rënduese e shqetësuese që prekin në mënyrë direkte raportet mes Qeverisë Kurti dhe Qeverisë Rama. Kësaj here, “bomba” është plasur nga kryeministri i Shqipërisë.
Burime të gazetës Nacionale kanë bërë të ditur se kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, është shprehur në mënyrë të papranueshme në lidhje me Qeverinë Kurti II në një prej takimeve të mbajtura në Ohër në kuadër të Samitit të Ballkanit të Hapur.
“Do ta rrëzoj Albin Kurtin (nga pushteti) deri në shtator,”– është fjalia që ka dalë nga goja e kryeministrit shqiptar, dhe që është thënë para disa prej funksionarëve shqiptarë që ishin pjesë e takimit të Ohrit.
Ky takim është mbajtur më datën 8 qershor.
Në Samitin e Ballkanit të Hapur i pranishëm ishte edhe kryeministri i ri i Malit të Zi, Dritan Abazoviq, lideri i BDI-së në Maqedoni, Ali Ahmeti, zv. Kryeministri i qeverisë maqedone Artan Grubi dhe të tjerë funksionarë shqiptarë në tri qeveritë e shteteve tona fqinjë (Shqipëri, Mal i Zi, Maqedoni e Veriut).
Për fjalët e thëna nga Rama në këtë takim, burimet i kanë thënë Nacionales se madje ekziston edhe një audio-inçizim.
Një tjetër mbledhi duket se do të ndodh në lokalin Soma në Prishtinë.
Kryeministri i Shqipërisë ka ftuar disa eksponentë që i sheh si kundërshtarë të kryeministrit Kurti në një ndejë joformale.
Si duket, kreu i Ekzekutivit shqiptar ka nisur edhe të materializojë fjalët e thëna më 8 qershor në Ohër.
Burime të Nacionales kanë bërë të ditur se ky takim në Soma do të organizohet nga gazetari Baton Haxhiu. Pikërisht Haxhiu ishte bërë mollë sherri në takimin e parë zyrtar të Kurtit si kryeministër më 11 shkurt të vitit 2020 sa ishte pjesë e Qeverisë Kurti I.
Në këtë takim, thonë burimet, Kurti i kishte kërkuar Ramës që të distancohej nga gazetari Baton Haxhiu pasi sipas tij ai po “helmonte marrëdhëniet mes tyre”. Kryeministri Rama është shprehur jashtëzakonisht i pezmatuar.
Në daljen e tyre para gardës kombëtare, asnjëri nuk kishte mundur ta fshihte acarimin e madh që kishin pasur me njëri-tjetrin siç mund ta shihni në fotografinë e mëposhtme.
Fragment konteksti
Kryeministri i Shqipërisë, komentojnë burimet e Nacionales, po shoqërohet me eksponentë të ndryshëm që janë armiqësorë ndaj Qeverisë së Albin Kurtit.
Ai sot ka vizituar Kosovën dhe nesër pritet të jetë pjesë e mbledhjes së dy qeverive Kosovë-Shqipëri, por në një atmosferë aspak të mirë për shkak të raporteve ndër-personale.
Rama ka vizituar disa biznese të biznesmenëve Devolli, që në të kaluarën ishin piketuar si “oligarkë” dhe monopolizues nga ana e kryeministrit të Kosovës. Ndërkohë që pritet të takojë edhe familjarët e ish kundërshtarëve politikë të Kurtit që ndodhen të paraburgosur në Hagë, Hashim Thaçit, Kadri Veselit e Jakup Krasniqit. Ditë më parë, Tirana ia doli të merrte nga Prishtina festivalin Sunny Hill që organizohet nga Dukagjin Lipa, babai i pop-yllit kosovar, Dua Lipa. Edhe në lidhje me këtë çështje ka pasur përplasje mes eksponentëve të të dyja qeverive.