Kryetari i Bordit të ARKEP-it, Kreshnik Gashi, ka njoftuar se ka pranuar letë nga Drejtori Gjeneral për Komunikim dhe Rrjete të Komisionit të BE-së, Roberto Viola, i cili e ka njoftuar për vendimin e Komisionit Evropian, ku i lejohet ARKEP-it që të marr pjesë në të gjitha nivelet e punës së Entit të Rregullatorëve Evropian për Komunikime Elektronike (BEREC), përcjell lajmi.net.
Ai përmes një postimi në Facebook, ka thënë se ky është një hap shumë më rëndësi që mundëson përfaqësim të barabartë të ARKEP në nivelin më të lartë evropian të organizimit të rregullatorëve.
Ky është njoftim i plotë:
Sot kam pranuar letrën e Drejtorit Gjeneral për Komunikim dhe Rrjete të Komisionit Evropian të BE-së, z.Roberto Viola, përmes së cilës më njofton për vendimin e Komisionit Evropian, përkatësisht komisioneres Mariya Gabriel, për pjesëmarrje të Autoritetit Rregullativ të komunikimeve Elektronike dhe Postare (ARKEP) të Kosovës në të gjitha nivelet e punës së Entit të Rregullatorëve Evropianë për Komunikime Elektronike (BEREC).
Ky është një hap shumë me rëndësi që mundëson përfaqësim të barabartë të ARKEP në nivelin më të lartë evropian të organizimit të rregullatorëve. Një hap i arritur pas një pune të madhe në përfaqësim të ARKEP në nivelin ndërkombëtar e që mundëson ta kemi zërin tonë në vendimmarrjen evropiane në fushën e komunikimeve elektronike si dhe të kemi qasje direkte në ekspertizën evropiane në lidhje me fushën e komunikimeve elektronike.
Falënderoj posaçërisht znj. Gabriel dhe z. Viola për mbështetjen që i kanë dhënë Kosovës për pjesëmarrje të barabartë me vendet e tjera evropiane në këtë forum./Lajmi.net/